Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se në takimin e sotëm që zhvilloi me të Dërguarin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kanë rënë dakord për vazhdimin e këtij dialogu, njofton Insajderi.
Siç raporton agjencia serbe e lajmeve “Tanjug”, Vuçiq tutje u shpreh se e konfirmojnë zotimin e Serbisë për vazhdimin e këtij procesi dhe dëshirën për të arritur një kompromis për marrëdhënie të mira midis të dyja vendeve.
“Kemi rënë dakord që të vazhdojmë dialogun dhe të konfirmojmë zotimin e Serbisë për vazhdimin e këtij procesi dhe dëshirën për të arritur një zgjidhje kompromisi për marrëdhëniet më të mira midis këtyre dy vendeve dhe normalizimin e marrëdhënieve”.
Ai tutje ka falënderuar Lajçak për përkushtimin dhe thotë se e kupton vështirësinë e situatës, duke treguar tutje se temë diskutimi të këtij takimi ishin edhe zhvillimet ekonomike.
“Unë insistova në zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit, e cila është një kusht pa të cilin një vazhdim i suksesshëm i dialogut nuk është i mundur”, tha tutje Vuçiq. /Insajderi.com