Vuçiq: Une e di si t’i mbroj serbët në Kosovë, por uroj të mos vijë puna ta shohim

Vuçiq: Une e di si t’i mbroj serbët në Kosovë, por uroj të mos vijë puna ta shohim

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi të enjten se “e di çfarë të bëjë” nëse shqiptarët “pushtojnë” përsëri Veriun e Kosovës dhe “shqetësojnë popullin serb”.

Por, tha se shpreson që “kurrë të mos kemi shans për të parë se si do ta bëj këtë”, shkruan Tanjug, transmeton Insajderi.com.

Ai ritheksoi se aksioni i Policisë e Doganës së Kosovës kundër kontrabandës me mallra është “provokim i rëndë për serbët në Kosovë”.

Aksioni në Veriun e Kosovës

I pyetur për të komentuar deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, se veprimi ishte drejtuar kundër krimit multietnik, Vuçiq tha se “Kurti nuk po e thotë të vërtetën dhe se ai e dinte se cilat ishin synimet e tij të vërteta”.

“Kjo është hera e shtatë apo e tetë që e bëjnë për të treguar forcën. Gjithçka që mendojnë se mund t’ua bëjnë serbëve, le ta bëjnë dhe pastaj do të shohin se si do të jetë reagimi jonë. Dorëzimi nuk është opsion dhe e jona është të luftojmë. Do të mbrojmë popullin tonë, Si? Uroj të mos vijë puna ta shihni se si”, u shpreh presidenti serb.

Të mërkurën pas aksionit të Policisë së Kosovës në Mitrovicë e Zveçan, ku pati rezistencë të serbëve lokalë, Vuçiq i mblodhi ata në Rashkë dhe u premtoi se “Serbia më nuk do të lejojë që kjo të përsëritet”.

Po ashtu bëri të ditur se i ka kërkuar Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, që “ta frenojë Prishtinën dhe “nëse ata nuk janë në gjendje – ne do ta bëjmë”./Insajderi.com