Vuçiqi i përgjigjet Erdoganit për Kosovën

Vuçiqi i përgjigjet Erdoganit për Kosovën

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i është përgjigjur deklaratave të homologut turk, Recep Tayip Erdogan, i cili tha se bashkë me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, do të lobojnë për të sjellë njohje të reja për Kosovën, transmeton Insajderi.

Në reagimin e tij, Vuçiq ka thënë se “do të mbrohet”.

“Turqia është fuqi, Erdogani është lider i madh, unë jam i vogël dhe Serbia është më pak e rëndësishme, por nuk është aq e vogël që të mos mundohet të rezistojë, pasi po e mbrojmë tonën. Kjo (Kosova) nuk është (tokë) turke, nuk ka qenë dhe nuk do të jetë. Na mbetet ta mbrojmë”, ka deklaruar Vuçiq, gjatë turit nëpër qytetet serbe që po e zhvillon tash e sa ditë.

Ai shtoi se beson se Erdogan do ta zbusë atë qëndrim, por nëse ai nuk zbutet, Serbia do të luftojë.

“Ne nuk kemi asnjë alternativë. Ne do të mbrojmë njerëzit në Kosovë dhe Metohi, por ju gjithashtu do të shihni se ne nuk jemi aq të vegjël”./Insajderi.com