Vuçiqi kërkon që urgjentisht të ndalen punimet në zonën e Manastirit të Deçanit

Vuçiqi kërkon që urgjentisht të ndalen punimet në zonën e Manastirit të Deçanit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se hyrja në zonën e mbrojtur të Manastirit të Deçanit dhe punimet në rrugë të cilat ai i quajti ilegale, “rrezikojnë njërën nga shenjtoret më të mëdha serbe dhe se ky akt është në kundërshtim me themelet evropiane të civilizimit dhe shkelë rregullat të cilat i ka nënshkruar vetë Prishtina”, njofton Insajderi

Më pas Vuçiqi ka shtuar se në takimin e ardhshëm në Bruksel, do të kërkojë nga përfaqësuesit Prishtinës dhe ndërmjetësuesve evropianë që të ndalen menjëherë punët ndërtuese në këtë zonë të mbrojtur, në një deklaratë të lëshuar nga presidenca.

Ai ka potencuar faktin që “mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe në Kosovë dhe Metohi është përparësi e politikës sonë shtetërore, dhe ne jemi të gatshëm të formojmë një ekip të veçantë së bashku me Kishën Ortodokse Serbe për mbrojtjen e shenjtorëve tanë – trashëgiminë shpirtërore, kulturore dhe historike serbe dhe të krishterë”.

Vuçiqi ka shtuar se Serbia i sheh këto punime si, “presion ndaj Serbisë dhe si porosi që trashëgimia kulturore dhe fetare serbe është peng i dëshirave të shqiptarëve”.

“Pres që BE-ja t’i bëjë trysni të madhe Prishtinës që të ndalet kampanja e rrezikimit të shenjtoreve serbe në Kosovë, ngase ato janë në të njëjtën kohë edhe monumente të çmueshme të kulturës krishtere në Evropë, dhe çfarëdo sulmi ndaj tyre është sulm ndaj vlerave themelore evropiane”, ka shtuar ai, thuhet në deklaratën e Zyrës së Presidencës serbe.

Në fund Vuçiq, ka thënë se “punimet ne zonën e Manastirit të Deçanit, janë një akt barbar i kryer nga ekstremistet shqiptarë”./Insajderi.com