Vuçiqi thotë se kryeministrit izraelit do t’ia shprehë mospajtimin rreth njohjes së Kosovës

Vuçiqi thotë se kryeministrit izraelit do t’ia shprehë mospajtimin rreth njohjes së Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar sot se gjatë bisedës me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyanu, do t’i tregojë se nuk do të pajtohet me vendimin e Izraelit për njohjen e Kosovës, njofton Insajderi.

I pyetur rreth pikës së marrëveshjes, përmes së cilës Serbia e ka marrë përsipër ta zhvendosë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem, deri në korrik të vitit 2021, Vuçiqi ka thënë se Izraeli paraqet aleatin më të madh të Amerikës dhe se ajo në mënyra të ndryshme ka ndikuar edhe në raportet e Izraelit me Kosovën.

“Propozim i SHBA-së ishte – ju e pranoni Kosovën dhe ne pajtohemi që të njihen mes vete Kosova dhe Izraeli, gjë të cilën nuk e pranuan”, ka thënë Vuçiqi në intervistën për transmetuesin shtetëror serb, RTS.

Ai gjatë kësaj interviste po ashtu ka thënë se SHBA-ja tani ia ka hapur dyert edhe Serbisë dhe se për herë të parë shteti i tij vlerësohet si partner i rëndësishëm.

Ai konsideron se Kosova tani do të përmbushë të gjitha pikat e marrëveshjes dhe se nuk do të rrezikojë që amerikanët ta ndryshojnë qasjen karshi tyre. /Insajderi.com