Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Aleksandar Vulin, thotë se Kosova nuk duhet të jetë anëtare e ndonjë organizate ndërkombëtare, “sidomos jo e asaj që lufton krimin”, transmeton Insajderi.
Kështu u shpreh ai në takimin ndërdikasterial të Trupit Koordinues për Parandalimin e Pranimit të Kosovës në Interpol.
Nëse Prishtina paraqet përsëri një kërkesë për anëtarësim në Interpol, Serbia, sipas ministrit, do të luftojë me forcë dhe argumente për ta parandaluar atë, “sepse është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, por edhe me vetë kuptimin e ekzistencës së kësaj organizate”.
Sipas Vulin, përkundër faktit që Prishtina mori përsipër në Marrëveshjen e Uashingtonit të mos ishte anëtare e Interpol, Serbia e di shumë mirë që Prishtina nuk e mban fjalën e saj.
“Serbia është një shtet i përgjegjshëm dhe serioz dhe është i gatshëm të reagojë ndaj të gjitha lëvizjeve të Prishtinës dhe presioneve të fuqive të mëdha”, tha ai. /Insajderi.com