Ministri serb i Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin, tha se Serbia do të punojë në mënyrë aktive për të parandaluar anëtarësimin e Kosovës në Interpol, transmeton Insajderi.
Kështu deklaroi ai në një takim me Ambasadorin e Japonisë, Takahiko Katsumata, të cilin e informoi për pozicionin e palëkundur të Serbisë për këtë gjë “nëse Prishtina e paraqet përsëri kërkesën”.
Sipas një deklarate nga Ministria e Brendshme, ai falënderoi Japoninë për abstenimin e saj gjatë votimit të fundit.
Në takim u diskutuan modalitetet e bashkëpunimit policor midis dy vendeve në fushën e krimit të teknologjisë së lartë dhe trajnimeve të përbashkëta në këtë fushë.
Ambasadori Katsumata tha se siguria e pronës dhe qytetarëve ka një rëndësi të madhe për arritjen e investimeve të huaja në një vend.
Sipas tij, Serbia ka treguar se është një vend i qëndrueshëm dhe i sigurt, prandaj, ndër të gjitha arsyet e tjera, investimet në rritje nga investitorët japonezë mund të priten në periudhën e ardhshme. /Insajderi.com