Vullnet Krasniqi për ndotjen e ajrit: Prishtina për 10-15 vjet do të bëhet e pajetueshme

Vullnet Krasniqi për ndotjen e ajrit: Prishtina për 10-15 vjet do të bëhet e pajetueshme

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ditëve të fundit ka njoftuar se ndotja e ajrit në Prishtinë dhe qytete të tjera të Kosovës është e lartë.

Redaktori përgjegjës i Insajderit dhe aktivisti kundër ndotjes së ajrit, Vullnet Krasniqi ka thënë se situata lidhur me ndotjen e ajri këtë vit është edhe më e rënduar.

“Këtë vit është edhe më tragjike, sepse nëse shihni vitin e kaluar, në dhjetor ose janar ka filluar të bëhet gjendja alarmante sa të vihet në një pikë kur shteti të thotë mbylli dritaret sepse mund të jesh i rrezikuar nga ajri”.

“Ne para dy javësh kemi pas motin shumë të mirë që është gjithashtu një alarm që ndryshmet klimatike po i vërejmë”.

“Është më alarmante, brenda një jave që ndryshuan temperatura në muajin nëntor ne arritëm në një pikë ku na obligohet të mos i hapim as dritaret”.

“Është e pamundur ta hapësh dritaren dhe tëp përfundosh çfarëdo aktiviteti jashtë”.

Krasniqi si i ftuar në Info Magazine të Klan Kosovës ka folur edhe për vdekjet nga ajri i ndotur.

“Është tepër shqetësuese sepse për herë të parë, kemi të dhëna për vdekjet nga ndotja e ajrit”.

“Një raport i Komisionit Evropian flet për 3700 njerëz në Kosovë që kanë vdekur nga ndotja e ajrit dhe Kosova llogaritet vendi më i ndotur në Evropë”.

“Nëse në vitin 2015 ka qenë 3700 numri i të vdekurve, nuk besoj se në vitin 2017 ka pasë rënie por mund të ketë vetëm ngritje të të vdekurve”.

“Jemi në një situatë që po vdesim nga ajri  që është elementi kryesor dhe bazik për jetesë”.

“Me këtë trend, Prishtina brenda 10-15 vjetëve do të jetë një qytet i pajetueshëm. Nuk mund t’i mbijetosh 10 vjet kësaj ndotje të ajrit, me thith këtë ajër që ta sjellë vdekjen më shpejt se çkado tjetër – është diçka që nuk mund ta zëvendësosh me diçka tjetër”.

Krasniqi ka thënë se kanë pasë takim me Këshillin Protestues në mënyrë që të koordinohen se si të protesojnë, për shkak që sipas tij, në protestat e tyre nuk po mund të bëjnë asgjë më shumë se vënia e një maske.

Ai ka folur edhe për projektligjin e iniciuar që lejon importin e veurave deri në 10 vjet të vjetra.

“Për dallim nga viti i kaluar kur debati për veturat 15 vjeçare nuk ka qenë aktual, ne sot kemi një situatë kur një projektligj i iniciuar nga deputeti Mërgim Lushtaku është në Kuvend të Kosovës”.

“Është tepër e çuditshme se si deputetët merren me shumë me anën financiare të akcizave të veturave se sa merren me dëmin që i shkaktojnë ambientit veturat e vjetra”.

“Ligji për veturat 15 vjet të vjetra është problematik sepse ne nuk jemi Austri, ne nuk kemi kontrollë të mirë të veturave”.

“Në anën tjetër, shqetësuese është se si deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë marrë një iniciativë të tillë”.

“Mendoj se ka interes financiar të grupeve të interesit që janë në industrinë e veturave – jo që ata kanë dhembshuri tepër të madhe nëse mundet një qytetar të blejë një veturë ose jo”.

Sipas Krasniqit, nuk po bëhet asgjë që ndikon në uljen e ndotjes së ajrit.

“Nuk po ndërmerret asgjë. Në 17 vjetët e fundit nuk është ndërmarrë asgjë që ë të mbrohet mjedisi, lumenjtë, nuk është ndërmarrë asgjë për vendosjen e filtrave në termocentrale, nuk është ndërmarrë asnjë veprim që të obligohet që gjatë kontrollit të veturave të jetë kriter edhe lirimi i gazrave”.

“Shteti është tepër përgjegjës edhe për vdekjet që kanë ndodh në vitin 2015 dhe vitet e tjera”.