Vushtrria shpall gjendje të emergjencës civile si shkak i vërshimeve

Vushtrria shpall gjendje të emergjencës civile si shkak i vërshimeve

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, bën të ditur se për shkak të rrezikut nga vërshimet, ka marrë vendim të shpallë gjendje të emergjencës civile në këtë qytet, njofton Insajderi.

Përmes një postimi në Facebook, Tahiri tha se reshjet e fundit kanë bërë që Lumi Llap e Drenica të rrisin jashtëzakonisht shumë prurjet më Lumin Silnica që rrit rrezikun e vërshimeve në qytet dhe fshatrat e Vushtrrisë.

“Kam urdhëruar rritjen e gatishmërisë maksimale të gjitha ekipeve emergjente komunale. Pikat kritike pritet të jenë vendbanimet përgjatë Lumit ‘Silnica’, Qyteti i Vushtrrisë, Pestova, Prelluzha, Lumi i Madh, Nedakoci”, ka shkruar ai në Facebook.

Tutje, ai njoftoi se në lidhje me situatën janë mobilizuar ekipet në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, Zjarrëfikësit dhe Policia.

“Kërkojmë bashkëpunim e mirëkuptim të qytetarëve në këtë situatë të emergjencës natyrore. Ju lutemi me kujdes maksimal dhe pa panikë”, ka shkruar tutje Tahiri./Insajderi.com