VV akuzon PDK-në për punësime pa konkurs në këmbim të votës

VV akuzon PDK-në për punësime pa konkurs në këmbim të votës

Lëvizja Vetëvendosje në Shtime, ka akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës dhe kryetarin e kësaj komune, Naim Ismajlin se po e shfrytëzon pozitën e kryetarit për përfitime të tij personale.

VV përmes një komunikate për media thotë në Kuvendin Komunal në Shtime u votua për shpronësimin e parcelave ku votat u bënë pas punësimeve partiake, madje edhe pa konkurs.

“Gjithashtu nga veprimet e disa këshilltarëve komunal, të ndaluara ligjërisht, po shihet se si paturpësisht po e shfrytëzojnë pozitën e tyre si “përfaqësues të qytetarëve”, pasi vota e tyre po shndërrohet në vend pune dhe përfitim personal. Rasti djeshëm ku praktikisht u bë e ditur për punësimin e këshilltares së AAK-së, në pozitën Menaxhere e projektit të komunitetit RAI, pa konkurs publik dhe haptas si shpërblim për votën e kontrabanduar e të shitur në llogari të votimit të Kryesueses së PDK-së”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë:

 

MBI SEANCËN E DJESHME TË KUVENDIT KOMUNAL DHE SHITJEN E VOTËS

Dje me datë 29.03.218 u mbajt mbledhja e tretë e rregullt e Kuvendit Komunal të Shtimes me vetëm 3 pika të përcaktuara të rendit të ditës. Njëra prej tyre ishte edhe Propozim-Vendimi për Shpronësimin e Parcelave, ku në mënyrë diskriminuese dhe pa poseduar një listë për të gjitha shpronësimet, Kuvendi votoi për shpronësimet selektuese e të zgjedhura të kryetarit. Shumica e këshilltarëve komunal ishin për respektimin e pronës private të cilësuar si të shenjtë, por mungonte lista mbi pronat e shpallura me interes publik, për të cilat duhet në mënyrë të paanshme të procedohen shpronësimet dhe pagesat. U vërtetua qartazi se kësaj katrahure dhe këtyre të këqijave tashmë po u shtohet edhe kontrabandimi i këshilltarëve komunal, që punojnë për interesa personale bashkë me kryetarin, i cili përmes administrates lokale po ushtron diskriminim ndaj qytetarëve.

Sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, neni 35 pika 4, citohet betimi i këshilltarëve komunal, si vijon “Betohem (ose deklaroj solemnisht) se do t’i kryej me nder, me besnikëri, pa anime e me ndërgjegje dhe sipas ligjit detyrat dhe do t’i ushtroj autorizimet e mia si këshilltar i kuvendit të komunës, në mënyrë që të sigurohen kushte për jetë të qetë për të gjithë”, ku betim i tillë bëhet enkas edhe nga kryetari komunës. Tutje në Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, më saktë në nenin 9, nga një varg veprimesh të ndaluara për zyrtarin e lartë, në pike 1.3 thuhet se është e ndaluar që këshilltari komunal “të kërkojë, përvetësojë, pranojë, shpërblime apo shërbime për vete ose për tjetrin si kompensim të votës së tij në vendimmarrje”.

Betimi i lartëcekur po del të jetë farsë dhe mashtrim i rëndë që ju bëhet qytetarëve dhe elektoratit, e sidomos vetëvetes por natyrisht që përgjegjësia dhe ndërgjegjshmëria që duhet të dal nga ky betim, nuk vlen dhe nuk u bënë përshtypje këtyre individëve që interesin personal e kanë parësor dhe që veprojnë në dëm e kurriz të qytetarëve që gjithnjë e më shumë po varfërohen. Gjithashtu nga veprimet e disa këshilltarëve komunal, të ndaluara ligjërisht, po shihet se si paturpsisht po e shfrytëzojnë pozitën e tyre si “përfaqësues të qytetarëve”, pasi vota e tyre po shëndrrohet në vend pune dhe përfitim personal. Rasti djeshëm ku praktikisht u bë e ditur për punësimin e këshilltares së AAK-së, në pozitën Menaxhere e projektit të komunitetit RAI, pa konkurs publik dhe haptas si shpërblim për voten e kontrabanduar e të shitur në llogari të votimit të Kryesueses së PDK-së. Ky pushtet përveç gjitha dëmeve që ka bërë, tashmë akoma po vazhdon të merret edhe me kontrabandën e votës, e cila po dëshmohet pastër me punesime të paligjshme dhe kundër interesit të qytetarëve, kundër barabarësisë, kundër institucionit të konkursit dhe kundër të drejtave fundamentale të njeriut.

Gjithë këto padrejtësi dhe veprime diskriminuese që po zhvillohen në komunën e Shtimes, janë në kundërshtim të plotë të zhvillimit të demokracisë dhe shtetit ligjor. Qytetarët duhet të reagojnë fuqishëm kundër veprimeve të kryetarit aktual dhe mbështetësve të tij në kuvend dhe administratë, për ta ndaluar këtë gjendje të rëndë për jetën dhe te ardhmen e tyre. Kjo klasë sunduese përmes komunës po ia vjedhin xhepin qytetarit dhe bashkë me të edhe jetën e dinjiteteshme. Me këtë format aktual politik, na zvogëlohen shpresat e na shtohen hallet, na pasurohet pakica e varfërohet shumica, na mundon e tashmja e na frikëson e ardhmja.