Lëvizja Vetëvendosje ka raportimet se kryeministri Albin Kurti ka siguruar 200 mijë vaksina kundër COVID-19 nga kompania Pfizer dhe se nga java e ardhshme në Kosovë do të fillojë vaksinimi masiv i popullsisë, përcjell Insajderi.
Sekretari për Media dhe Komunikim i kësaj partie, Arlind Manxhuka ka akuzuar disa media duke thënë e kanë shpërndarë këtë lajm, ndonëse ai e kishte demantuar për njërën nga to.
“Ky është rasti tipik se si shtyhet përpara një lajm i rremë (fake news). Artikullin në linqet dhe fotografitë më poshtë do ta shihni se është identik, madje është marrë direkt pa u ndryshuar fare nga ata që e kanë nisur këtë fake news. Disa ditë janë përpjekur edhe në portale të tjera por në fund kanë arritur ta nxjerrin vetëm në këto. Një portal ka dërguar pyetje mbi këtë lajm dhe është demantuar, dhe si rrjedhojë nuk ka dalë si lajm, por në këto të tjerat po”, ka shkruar Manxhuka në profilin e tij në Facebook.
Ai ka shtuar se ky nuk është vetëm informacion i rremë, por artikull i përgatitur qëllimisht.
Sipas tij, mediat po tentojnë të krijojnë pritshmëri për t’u kthyer në sulm ndaj qeverisë.
“Sikur shumë herë të tjera edhe kësaj radhe ky fake news vjen direkt nga një parti politike, e cila dëshiron të gënjejë dhe ndikojë opinionin publik. Së bashku me dekonspirimin e lajmit dhe personave që e kanë shtyrë atë po dalin në pah edhe mediumet e lidhura ngushtë me regjimin e vjetër, normalisht ende jo të gjitha” , ka shtuar zyrtari për media i kësaj i VV-së./Insajderi.com