VV: Dhuna në Kuvendin maqedonas “me konsensusin e heshtur të policisë”

VV: Dhuna në Kuvendin maqedonas “me konsensusin e heshtur të policisë”

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se është duke përcjellur me shqetësim të madh ngjarjet që po zhvillohen në Kuvendin e Maqedonisë. Përmes një komunikate për media, VV kat hënë se “Falanga proto-fashiste kanë rrethuar e kanë sulmuar parlamentin me thirrje për dhunë ndaj shqiptarëve por edhe ndaj socialdemokratëve maqedonas

“Këto protesta siç duket nuk janë hasur në asnjë pengesë policore, siç do të ishte normale në situata të tilla. Pra dhuna është ushtruar me konsensusin e heshtur të policisë”, thotë VV.

“Deputetët janë marrë peng nga protestuesit, disa prej tyre janë dhunuar, e ndër të cilët mediat raportojnë se është dhunuar rëndë lideri i LR-PDSH, Ziadin Sela. Po ashtu janë dhunuar dhe gazetarët e qytetarë të ndryshëm”, thuhet tutje në komunikatë.

“Lëvizja VETËVENDOSJE shpreson që z. Sela tashmë të jetë jashtë rrezikut, dhe që gjendja e përgjithshme në Maqedoni të mos shkojë drejt një grushti të shtetit apo drejt një konflikti të dhunshëm qytetar apo etnik. Dhuna ndaj shqiptarëve në Maqedoni është dhunë ndaj cilitdo shqiptari edhe në Shqipëri a Kosovë, ndaj ajo duhet ndalur”.

VV ka bërë thirrje qeverisë së Kosovës dhe të Shqipërisë që “të ndërmarrin hapa të menjëhershme për të ruajtur shqiptarët e Maqedonisë”.

“I bëjmë thirrje edhe faktorëve ndërkombëtarë të mos lejojnë instalimin e një diktature pro-ruse në Maqedoni.”/Insajderi.com