Zyrtari ligjor i Lëvizjes Vetëvendosje, Berim Sallahu, ka njoftuar se kjo parti do të bëjë ankesë në Gjykatën Supreme kundër vendimi të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, lidhur me mos certifikimin e pesë kandidatëve që kanë probleme me ligjin, përfshirë këtu edhe bartësin e listës, Albin Kurti, njofton Insajderi.
“Brenda afatit ligjor do të bëjmë ankesë në Gjykatën Supreme kundër vendimit antikushtetues të PZAP-së. Nuk do të ndalemi”, ka shkruar Sallahu në Facebook.
PZAP-ja ka aprovuar vendimin e KQZ-së i cili ia pamundëson pjesëmarrjen në zgjedhje kandidatëve të disa partive politike të cilët janë të dënuar në tri vitet e fundit me dënim të formës së prerë.
Partitë që duan të ankohen ndaj këtij vendimi kanë 24 orë afat për t’u ankuar në Gjykatën Supreme. Supremja do të ketë tre ditë afat për vendim.
Procesi i certifikimit mbyllet më 31 janar./Insajderi.com