VV paralajmëron se do të ua ndalojë fëmijëve përdorimin e pijeve energjike

VV paralajmëron se do të ua ndalojë fëmijëve përdorimin e pijeve energjike

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë paralajmëruar se së shpejti do të fillojnë me propozimet për ndryshimin e ligjit për përdorimin e pijeve energjike, për të pamundësuar blerjen e pijeve të tilla për fëmijët, njofton Insajderi.

Dy deputetët e kësaj partie, Fitore Pacolli dhe Milazim Salijaj, kanë kërkuar nga Drejtoria për Hulumtime brenda Kuvendit të Kosovës një hulumtim se si është e rregulluar përdorimi i pijeve energjike në vendet e rajonit dhe në Evropë.

Kështu ka bërë të ditur deputetja Pacolli në Facebook, ku tha se në vitin 2019 kishte premtuar se do të marrë iniciativë në Kuvend për të bërë ndryshimet ligjore rreth përdorimit të pijeve energjike tek personat nën moshën 18 vjeçare.

Por, sipas saj, për shkak të kohëzgjatjes së shkurtër të asaj legjislature nuk ka arritur ta bëjë këtë.

“Bashkë me Milazimin do të fillojmë propozimet për ndryshime ligjore të paraprira nga disa hulumtime të nevojshme diskutime publike dhe fushatë për vetëdijësim në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe institucionet përkatëse. Sipas hulumtimit, Kosova akoma nuk ka bazë ligjore që sanksionon përdorimin e pijeve energjike tek personat nën 18 vjeç”, ka shkruar Pacolli.

Tutje, ajo ka marrë shembull Shqipërinë, te e cila ndalohet shitja e pijeve energjike tek personat nën moshën 18-vjeçare, publiciteti në mediat vizive, ofrimi i pijeve energjike nga të rriturit te të miturit, shitja pa verifikim me dokument identifikues dhe përdorimi i tyre dhe reklamimi në institucione arsimore.

Maqedonia s’ka ligj të tillë, por ka iniciuar ndryshimin e ligjit për ndalimin e pijeve energjike për personat nën 18-vjeç.

Ndërsa në Evropë, kjo çështje është e rregulluar me legjislacion kombëtar në të gjitha vendet./Insajderi.com