VV e PDK do ta kundërshtojnë me çdo mjet demokratik mini-Shengenin

VV e PDK do ta kundërshtojnë me çdo mjet demokratik mini-Shengenin

Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, po kundërshtojnë ashpër ndryshimin e qëndrimit të qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti për “mini-Shengenin” Ballkanik, njofton Insajderi.

Këto dy parti opozitare po vlerësojnë se kjo nismë rajonale është e dëmshme dhe nuk i sjellë asnjë të mirë Kosovës, duke shtuar se do të kundërshtojnë me të gjitha mjetet demokratike.

Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci thotë se ideja e mini-shengenit është ide e Serbisë dhe si e tillë nuk duhet pranuar.

“Ideja për mini-shengenin është e ditur botërisht që është ide e Serbisë e iniciuar para disa viteve nga presidenti Vuçiq. Është një gjë shumë e keqe që përkundër kundërshtimeve që fillimisht i kishte edhe LDK-ja gjatë kohës kur ishte në opozitë në legjislaturën e kaluar, tashmë erdhën në një situatë kur po ia mundësojnë projektin e tij për dominim në këtë pjesë të Ballkanit. Kjo nuk i sjell asnjë të mirë Kosovës, e as Shqipërisë”, thotë ajo.

Nga PDK thonë se qeveria Hoti ka hequr dorë nga parimet e veta në Uashington kur ka pranuar “mini-Shengenin”. Zëdhënësi Avni Bytyçi thotë se kjo është një pikë dobësie për të ardhmen e vendit.

“Është pikë dobësie pse kryeministri ose qeveria e Kosovës edhe pse në parim ju e dini në vitet e kaluar gjitha paritë politike kanë qenë kundër mini-shengenit. Ne besojmë se integrimi në BE duhet të na bashkojë dhe kuptohet qasja në shengen zonë…kryeministri ka hequr dorë nga këto parime dhe ka pranuar që Kosova të jetë në mini-shengein. Por PDK-ja ka qenë kundër atëherë është sot dhe do të vazhdojë të jetë kundër në të ardhmen dhe do të kundërshtojë me të gjitha mjetet e saj”, thotë ai. /Insajderi.com