Lëvizja Vetëvendosje për herë të parë pas ndarjes së koalicionit me partitë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA, ka përmendur faktin se në zgjedhjet e ardhshme nuk mund t’i fitoj e vetme.
Kësisoj, sipas sekretarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, partia që ai përfaqëson është në kërkim të koalicionit sipas tij të ndryshimit.
Ai e ka quajtur “Koalicioni kundër krimit” pjesë e së cilës sipas Molliqajt mund të jetë të gjithë ata që janë kundër krimit.
“Pjesë e këtij koalicioni mund të jenë të gjithë që janë kundër këtij sistemi të kriminalizuar”, ka thënë Molliqaj në emisionin “Zona e Debatit” në Klan Kosova.
Ai nuk ka përjashtuar as prestarët e LDK-së që të jenë pjesë e këtij koalicioni, teksa ka përmendur edhe anëtarët e shoqërisë civile, pjesëtarë të organizatave jo qeveritare e deri tek anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Molliqaj ka thënë se bazuar në të dhënat nga terreni, VV-ja ka një rritje të ndjeshme të votuesve dhe mbështetjes popullore por që ndryshimi të ndodhë në vend nevojitet një koalicion.
Por nuk ka harruar të përmend faktin se VV-ja duhet të jetë bartëse e këtij koalicioni, pasi sipas tij, VV-ja është edhe krijuese e kësaj platforme e cila siç duket do të fillojë të prezantohet në një të ardhme të afërt.
Vetëvendosje kishte qenë pjesë e koalicioneve të tilla, ani pse paszgjedhore, në skenën politike të Kosovës.
Kur ishin mbajtur zgjedhjet në vitin 2014, VV së bashku me LDK-në, NISMA-n dhe AAK-në kishin krijuar koalicionin opozitar, por që kishte dështuar kur LDK pranoi të bëhej pjesë e Qeverisë bashkë me PDK-në partinë që kishte fituar zgjedhjet.
Pas kësaj ndarje, VV kishte bashkuar përsëri forcat me dy partitë e mbetura por që edhe ky koalicion u shkatërrua, siç u mor vesh më vonë, për shkak se nuk kanë arritur të pajtohen për listën zgjedhore dhe kush do ta drejtonte atë. /Insajderi.com