VV flet për fotografinë Sveçla – Gjuriq: Çdo përfaqësues i yni paraqet rrezik për kundërshtarët

VV flet për fotografinë Sveçla – Gjuriq: Çdo përfaqësues i yni paraqet rrezik për kundërshtarët

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë sot se çdo përfaqësues i saj “paraqet shqetësim për kundërshtarët”, teksa ka komentuar edhe një herë një fotografi ku në tavolinën e përbashkët shihet anëtari i LVV-së, Xhelal Sveçla dhe zyrtari i Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq.

Përmes një shënimi në Facebook, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka thënë se ky subjekt politik do të vazhdojë t’i shtyjë përpara parimet dhe programin e saj në çdo konferencë apo takim publik.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! do të vazhdojë t’i shtyjë përpara parimet e programin e saj kudo ku gjindet, në çdo takim publik, në çdo rrethanë e tryezë. Çdo përfaqësues i yni në tryeza paraqet shqetësim për kundërshtarët”, ka shkruar Manxhuka.

Marko Gjuriq ka qenë pjesë edhe një paneli tjetër në Berlin, bashkë me Albin Kurtin, ku është diskutuar për rëndësinë e dialogut ne Ballkanit.

Përveç Gjuriqit, në anën e majtë të Albinit në panel janë parë edhe Susanne Schütz, drejtoreshë në Departamentin për Punë të Jashtme të Gjermanisë, Mathew Palmer nga Departamenti Amerikan i Shtetit, drejtori Politik i Ministrisë së Jashtme të Spanjës, Enrique Mora Benavente dhe ambasadori amerikan, Frank Wizner.

Edhe pse Marko Gjuriq ishte pjesë e debateve ku u diskutua për tejkalimeve e problemeve në Ballkan, ai së fundi iu bashkua korit të politikanëve serbë që mohuan krimin e Reçakut, duke e quajtur atë trillim të UÇK-s dhe ish-ambasadorit të OSBE-s, William Walker.

Debati nisi pasi Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi me dy vjet burgim ish-ministrin serb të Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviqin, për shkak se i njëjti, derisa ishte në postin e ministrit, masakrën e Reçakut e kishte quajtur “trillim”.