VV-ja arrin marrëveshje me PDK-në në Gjilan

VV-ja arrin marrëveshje me PDK-në në Gjilan

Lëvizja Vetëvendosje ka arritur marrëveshje me Partinë Demokratike të Kosovës për të bashkëqeverisur në Komunën e Gjilanit.

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, Ismajl Kurteshi, ka konfirmuar për Shqip.com, se bazuar në marrëveshjen e arritur PDK-së do t’i takojë nënkryetari i Kuvendit Komunal dhe katër drejtori.

“Po mund ta konfirmoj se kemi arritur marrëveshje me PDK-në dhe disa subjekteve të vogla. Nënkryetari i Kuvendit komunal do të jetë nga PDK-ja, ndërsa kryesuesi nga VV-ja. Po ashtu mund të konfirmoj se PDK-së do t’i takojnë katër drejtori”, ka thënë Kurteshi.

Ndryshe, Kuvendi Komunal i Gjilanit ka thirrur mbledhje urgjente që do të mbahet këtë të enjte.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e komunës, mbledhja do të mbahet duke filluar nga ora 15:00.

Në rend të ditës do të jenë: Betimi i anëtarëve të Kuvendit dhe zgjedhja e Kryesuesit të Kuvendit.

Sipas ligjeve në fuqi, Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Gjilanit duhet të zgjidhet më së largu deri më datën 9 janar./Insajderi.com