Lëvizja Vetëvendosje i ka quajtur të pavërteta deklarimet e opozitës lidhur me përzgjedhjen e anëtarëve të komisionit ad-hoc të Komisionit të Pavarur të Mediave.
Deputetja e kësaj partie, Doarsa Kica Xhelili, në një konferencë për media tha se të dy proceset e KPM-së dhe Radiotelevizionit të Kosovës kanë qenë të njëjta, por reagimet e opozitarëve jo.
Sipas saj, kjo është bërë në mënyrë të çuditshme.
“Është e çuditshme që thuhet diçka nga një deputetet si anëtare ndërsa asnjëra nuk kanë qenë prezent kur kanë ndodhur intervistimet për bordin e RTK dhe KPM. Dje u votuan kandidatët nga jo-shumicë. Ne kemi pasur reagime vetëm me proceset e KPM-së dhe kjo është e çuditshme. Dje nuk pat fjalime për pakica”.
Ajo tutje theksoi “nuk po i bënë mirë askujt fakti që po dilet me deklarime të tilla se në fund të ditës janë kandidatë që janë poetuar edhe nga radhët e opozitës dhe nuk mund të marrim përgjegjësi për ata që nuk vijnë në intervista”.
Deputet i VV-së, Fitim Haziri, u shpreh se është e çuditshme se me 27 maj të dy komisionet janë formuar të njëjtën ditë.
“Për bordin e RTK kemi mbajtur dy mbledhje. Dje kemi kaluar votim dhe është bërë përzgjedhja e dy anëtarëve. Çka qëndron mbrapa kësaj që për njërin komision kemi reagim e për tjetrin jo. Reagime kemi pasur vetëm për KPM. Kush qëndron prapa këtyre reagimeve”.
Përzgjedhja ad-hoc e anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media nxiti reagimin e shoqërisë civile në Kosovë ditë më parë.
E lidhur me mungesën e transparencës për këtë proces ditë më parë reagoi edhe Federata Evropiane e Gazetarëve, të cilët kanë bërë thirrje për transparencë të plotë./Insajderi.com