VV: Keqpërdorimet janë veprime të zakonshme të Sokol Bashotës

VV: Keqpërdorimet janë veprime të zakonshme të Sokol Bashotës

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar sot nga prokuroria e shtetit që të hetojë të gjitha rastet e korrupsionit dhe keqpërdorimeve, që sipas tyre janë bërë nga kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota dhe ekipi i tij.

Në një konferencë për media, Vetëvendosje ka thënë se dyshimet e ngritura dje nga ana e prokurorisë për Bashotën dhe ekipin e tij janë vetëm një pjesë e shkeljeve që ai ka bërë, “ndërsa lista e keqpërdorimeve dhe shkeljeve për fat të keq është shumë më e gjatë dhe daton qysh nga ardhja e tij në pushtet”.

“Punësime pa kritere dhe pa konkurs, financime të projekteve pa i përfillur procedurat e tenderimit, vendime të marra nga njerëz që kanë konflikte të hapura interesi, janë veprime të zakonshme të Kryetarit Bashota dhe ekipit të tij e për të cilat ai asnjëherë nuk ka dhënë llogari as para asamblesë komunale e as para qytetarëve”, tha Skender Merturi, asamblist i VV-së në Kuvendin Komunal të Klinës.

Të enjten, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, Gjykata Themelore në Pejë ka lëshuar urdhëresë për bastisjen e pronave të kryetarit të Komunës së Klinës Sokol Bashota si dhe shoferit dhe menaxhim të prokurorimit në këtë komunë “të cilët dyshohen për kryerjen e veprës penale keqpërdorim i detyrës zyrtare.”

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se këto veprime të prokurorisë janë ndërmarrë pasi që kjo parti ka bërë Kallëzim Penal në tetor të vitit të kaluar./Insajderi.com