VV kërkon interpelancë për Blerim Kuçin lidhur me dhënien e licencave për “Kelkos Energy”

VV kërkon interpelancë për Blerim Kuçin lidhur me dhënien e licencave për “Kelkos Energy”

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka kërkuar interpelancë për ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, lidhur me dhënien e licencave afatgjate për prodhimin e energjisë elektrike të ndërmarrjes KELKOS ENERGY SH.P.K për Hidrocentralin Deçani dhe atë Belaja, transmeton Insajderi.

Siç thuhet në komunikatën e lëshuar nga VV, operimi i hidrocentraleve në Grykën e Deçanit përmes kompanisë “Kelkos Energy sh.p.k.” ka shkaktuar dëme të mëdha në ambientin e rajonit ku operojnë sikurse edhe në shëndetin e qytetarëve.

“Edhe pse më 14 tetor 2020, këtyre tre hidrocentraleve ju kishte ndaluar operimi, për shkak se nuk kishin leje mjedisore dhe leje ujore, pas lejes nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, ZRRE në mbledhjen e sotme, mori vendim për dhënien e licencave për 40 vjet për dy hidrocentralet në bjeshkët e Deçanit”.

Komunikata e plotë:

Megjithë deklarimet e Blerim Kuçit se Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit nuk i ka dhënë leje mjedisore dhe leje ujore kësaj kompanie, vendimi i sotëm i ZRRE-së jo vetëm se nxori në pah mashtrimin e tij të radhës, por e bënë këtë proces edhe tërësisht jotransparent dhe të paligjshëm.

Me vendimin për dhënien e lejes për operim për 40 vjet, është goditur rëndë mjedisi në zonën e Grykës së Deçanit dhe burimet e ujit, por edhe buxhetin e shtetit.

Përkundër iniciativave, kërkesave e peticioneve për të ndërprerë degradimin e mjedisit, ZRRE mori këtë vendim të dëmshëm e të paligjshëm. Për pasojat e këtij vendimi, të gjithë ata që kanë mundësuar dhe miratuar atë, duhet të përgjigjen ligjërisht. Ministri Blerim Kuçi nuk mund t’i ikë përgjegjësisë së drejtpërdrejt ligjore. Ky vendim duhet të shfuqizohet pa humbur kohë, kurse përgjegjësit duhet të japin llogari. /Insajderi.com