Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi që të bëjë publike arsyetimin e faljes së një të burgosuri, i cili është dëshmitar në rastin Astrit Dehari, njofton Insajderi.
Me anë të një postimi në Facebook, Vetëvendosje thonë se është e rëndësisë jetike të bëhet publike procesi dhe arsyetimi i faljes së rastit në fjalë që mbase edhe do të ndihmonte në sqarimin e rrethanave të rastit Dehari.
“U bë një javë qëkur presidenti fali, lehtësoi dënime të personave që ishin të dënuar për vepra të rënda penale. Dy prej tyre dolën të jenë edhe dëshmitarë të rastit të vrasjes së aktivistit Astrit Dehari. Është e rëndësisë jetike të bëhet publike procesi dhe arsyetimi i faljes së rastit në fjalë që mbase edhe do të ndihmonte në sqarimin e rrethanave të vrasjes së Astritit. Drejtësia për Astritin është drejtësi për gjithë shoqërinë”, thuhet në postim.
Kjo parti politike edhe më herët ka shprehur shqetësimet e saj lidhur me vonesat për zbardhjen e rastit Dehari, në kohën kur presidenti Thaçi i ka lehtësuar dënimin për tri vjet e gjysmë Luz Allakajt, i dënuar për vrasjen e një fëmije, por që i njëjti është dëshmitar në rastin e vrasjes së aktivistit të kësaj lëvizjeje.
Vetëvendosje ka akuzuar edhe Prokurorinë Speciale se po vazhdon të heshtë lidhur me rastin, duke mos dhënë asnjë informacion lidhur me hetimet që çojnë në zbardhjen e së vërtetës, ndërkohë që deputetët e kësaj partie kanë kërkuar nga Zyra e Presidencës dosjen e kërkesës, raportin dhe arsyetimin për faljen e Allakajt. /Insajderi.com
U bë një javë qëkur Presidenti fali, lehtësoi dënime të përsonave që ishin të dënuar për vepra të rënda penale. Dy prej…
Posted by Lëvizja VETËVENDOSJE! on Thursday, August 27, 2020