Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti së bashku me deputeten Albulena Haxhiu dhe drejtuesen e Sekretariatit të Gruas Aktiviste, Nazlie Bala gjatë një konference për media kanë folur lidhur me rastin e Vasfije Krasniqit, e cila ishte pre e dhunës seksuale në periudhën e luftës nga forcat paramilitare serbe.
“Këto janë plagë të hapura e që kullojnë. Mbrëmë zonja Vasfije Krasniqi, rrëfeu publikisht tmerrin e përdhunimit që kishte përjetuar gjatë luftës në Kosovës kur ishte vetëm 16 vjeç. Vasfijen dhe të gjitha gratë e tjera të përdhunuara duhet ti dëgjojë dhe ti ndihmoj shteti pa rezervë”, ka thënë Kurti.
Në anën tjetër, drejtuesja e Sekretariatit të Gruas Aktiviste, Nazile Bala, ka thënë se jemi këtu për ti shprehur mbështetjen Vasfijes por edhe të gjitha grave tjera.
“Vasfija nuk është vetëm viktimë e luftës, por edhe thirrje për drejtësi. E kaluara është shenjë e një lufte të pambaruar, luftës për drejtësi dhe luftës për të vërtetën e grave dhe vajzave në Kosovë. Dëshmitë e mbledhura nuk kishin vetëm një copë letre kanë një histori në vetë. Pas këtyre rrëfimeve të cilat janë heshtur tash e 19 vite në Kosovë, dhe paragjykimi ka qenë dhe më i madh”, ka thënë Bala.
Ajo ka shtuar se si shoqëri dhe si shtet ua kemi borxh që bashkërisht të luftojmë për drejtësi.
Kurse deputetja Albulena Haxhiu tha se ndaj këtyre grave krimi i parë është bërë nga Serbia, kurse krimi i dytë është bërë pasluftës që institucionet e kanë heshtur këtë krim.
“Dje ishte rrëfimi i Vasfijes, për tmerrin që kishte përjetuar gjatë luftës. Pas saj dolën disa përgjigje ku UNMIK dhe EULEX qëllimshëm i kanë dështuar procese gjyqësore të kësaj natyre. Ka bazë dyshimesh se në rastin e Vafsije Krasniqit, gjyqtarët janë korruptuar, njëri nga policët që kishte kryer përdhunimin ndaj Vafsijes është pjesëtarë i Policisë së Kosovës. Pas kësaj dëshmohet papërgjegjësi që institucionet nuk kanë bërë asnjë veprim të vetëm në kërkim të këtyre veprimeve.
Gjatë asaj kohe sa përfaqësuesit e Kosovës bënin koncesionin me Serbinë, ndërsa familja e Vasfijes bënin luftë me gjykata për të kërkuar të drejtat e tyre, pa pas asnjë mbështetje nga institucionet vendore. As angazhim të avokatëve nuk kishin.
Institucionet dhe Kuvendi nuk guxojnë të vazhdojnë raporte me Serbinë. Nuk mund të kemi raporte me Serbinë, pa kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë “, tha Haxhiu.
Ajo shtoi se rasti i Vasfije Krasniqit duhet të rigjykohet dhe të dënohen kriminelët.