VV: Komuniteti RAE vuan dyfish papunësinë e varfërinë në Kosovë, kjo s’do të ndodhë me qeverinë e re

VV: Komuniteti RAE vuan dyfish papunësinë e varfërinë në Kosovë, kjo s’do të ndodhë me qeverinë e re

Lëvizja Vetëvendosje thotë se komunitetet rom, ashkali e egjiptas, në Kosovë e vuajnë dyfish më shumë papunësinë e varfërinë.

Sipas VV-së, kjo bëhet më së shumti për shkak të paragjykimeve dhe diskriminimeve.

Kjo u tha gjatë takimi që kryetari i VV-së Albin Kurti, bashkë me nënkryetaren Fatmire Mulhaxha Kollçaku dhe anëtarët e kryesisë Xhelal Sveçla dhe Sami Kurteshi, pritën në takim përfaqësuesit e shoqërisë civile që merren me mbrojtjen dhe avancimin e interesave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas në Kosovë, Isak Skenderi dhe Vesa Batalli nga “VoRAE”, Shpresa Agushi nga “RROGRAEK”, Vlora Latifi nga “Syri i Vizionit” dhe Muhamet Arifi nga “BSFK”.

“Komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas e vuajnë dyfish varfërinë dhe papunësinë në Republikën tonë, kjo për shkak të paragjykimeve dhe diskriminimeve shtesë që atyre u bëhen. Për 20 vite me radhë, ata kanë qenë të neglizhuar nga qeverisja dhe përveçse nuk u janë garantuar të drejtat dhe liritë, u ka munguar edhe qasja në punësim, shëndetësi, edukim, mbrojtje sociale dhe kujdes”, thuhet në njoftimin për media.

VV, thotë se kjo nuk mund të vazhdojë edhe me qeverisjen e re.

“Andaj, pas konsultimit me përfaqësuesit politik e institucional të këtyre komuniteteve, kryetari Kurti priti sot në takim edhe përfaqësuesit e organizatave joqeveritare që mbrojnë interesat e romëve, ashkalive dhe egjiptasve në Kosovë, me të cilët bashkëbisedoi për koordinatat e një qeverisje të re që nuk përjashton askënd por që interesohet, mbron dhe mundëson përparimin e aktiviteteve dhe politikave në të mirë të këtyre komuniteteve dhe shoqërisë në përgjithësi”, thuhet në kumtesën e VV-së.

Përfaqësuesit e këtyre organizatave, njofton VV, kanë listuar çështjet më të rëndësishme për përmirësimin e mirëqenies së këtyre tri komuniteteve ku prinë edukimi dhe arsimimi, punësimi, banimi, buxheti i përgjithshëm dhe anti-gjipsizmi.

“Kryetari Kurti shprehu vlerësimin e tij për punën e bërë nga këto organizata dhe i njoftoi përfaqësuesit e tyre me prioritetet e qeverisë së re, ku shtetndërtimi demokratik dhe sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik e krijimi i vendeve të punës nuk do të përjashtojë e diskriminojë më askë. Me qeverinë e re aty ku ka nevojë më së shumti do të ndihmojmë më së pari dhe ne e dimë që komunitetet e romëve, ashkalive dhe egjiptasve e ka një barrë të dyfishtë ngase janë të diskriminuar në një mënyrë të veçantë brenda të diskriminuarve në përgjithësi, tha ai, duke potencuar që kjo do të ndryshojë. Qeveria e re do e orientojë energjinë drejt projekteve që prekin dhe zhvillojnë drejtpërdrejt jetën e këtyre komuniteteve dhe këtu do të përfshijmë sidomos përkrahjen e organizimeve dhe aktiviteteve që mbrojnë dhe avancojnë interesat e tyre”, thuhet në kumtesën e Vetëvendosjes.

Për këtë, thotë VV, “tashmë kemi edhe dakordim me përfaqësuesit institucional, por edhe me organizatat joqeveritare që merren me mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të këtyre komuniteteve”.