Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, ka kritikuar nepotizmin në Radio Televizionin e Kosovës, në Komisionin për Buxhet dhe Transfere, transmeton Insajderi.
Ai ka thënë se në RTK është punësuar djali i vëllait të ish-presidentit Hashim Thaçi, Gani Thaçit e pastaj edhe familjarë të tjerë, duke përmendur që me kontratë mbi vepër janë punësuar Leotrim Thaçi dhe gruaja e tij, Festina Cakolli, ndërsa vëllai i kësaj të fundit është punësuar si kameraman.
“Në bazë të diskutimeve është raportuar se është punësuar edhe dhëndri i kryetarit të Bordit. Sali Bashota a bie kjo në kundërshtim me ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit. RTK është sinonim i keqpërdorimeve të vazhdueshme. Për të gjitha këto parregullsi duhet të formohet një komision hetimor sa më parë që ta hetojë gjendjen në RTK dhe të monitorohet nga organet ndërkombëtare. Prokuroria duhet të nis sa më parë hetimet ndaj keqpërdorimeve në RTK. Atë që Kuvendi duhet ta bëjë me urgjencë është kthimi i ligjshmërisë duke shkarkuar bordin aktual dhe duke nxjerrë një bord profesional”, ka thënë ai, raporton EO.
Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Ngadhënjim Kastrati, i është përgjigjur Korenicës duke i thënë se respektohet ligji, duke shtuar se këto çka i deklaroi deputeti janë spektakël.
“Qysh e ke lexu pikë për pikë reagimin e Sindikatës. Nuk lexohet në Komision komunikata e sindikatës pak ma korrekt me qenë. E para nuk është mirë me hy me emra, e dyta Leotrim Thaçin po doni me sulmu i njëjti është punësuar 3 muaj ka punu në ekspertizë ka qenë profesionist, vetë jam angazhu me e marrë se ka qenë profesionist, i ka marr tri rroga më nuk është në punë. Drejtor i përgjithshëm jam unë, jam drejtor nuk të jap ty llogari ty me ardhë me të pyet kënd me marrë në punë. Unë nuk jam budalla, e respektoj ligjin. Mos bëni spektakle pse kjo kështu pse kjo kështu? I respektojmë të gjitha ligjet dhe rregullat, jemi të thirrur me ju përgjigj, por jo për t’ju pyetur juve kë me marrë në punë”, ka thënë ai. /Insajderi.com