Lëvizja VETËVENDOSJE! ka mbajtur sot mbledhjen e Kryesisë në të cilën sipas komunikatës për media nga kjo parti, janë diskutuar përgatitjet për zgjedhjet e 11 qershorit dhe përgatitjet për mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes e cila mbahet nesër, e ku do të votohet edhe lista e kandidatëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për këto zgjedhje.
Në këtë komunikatë kanë treguar edhe për takimin me koalicionin LDK-AKR. E kanë lënë të hapur mundësinë e kandidimit me një listë të përbashkët.
“Të gjithë ata që janë të gatshëm t’i bashkohen kësaj beteje për ndryshim rrënjësor jemi të gatshëm t’i presim në takim”, thuhet në komunikatë.
Aty tregohet sesi koalicioni LDK-AKR i kanë ftuar në takime.
“Gjatë ditës së sotme kemi pranuar dhjetëra kërkesa për takim nga koalicioni LDK/AKR. Edhe pse jemi në orët e fundit para dorëzimit të listave, kryesia e Lëvizjes vendosi që t’i pranojë në takim”, thuhet në komunikatë.
Tanimë, afati për koalicione ka përfunduar dhe Lëvizja Vetëvendosje sipas kësaj komunikate thuhet se është duke bërë përgatitjet e duhura që në këto zgjedhje të garojë e vetme.
“Programi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe konsistenca politike e qëndrimeve dhe veprimeve na bëjnë ne subjektin më të besuar për transformim të Republikës, me luftim të krimit e progres shoqëror”, thuhet në komunikatë.