VV nuk e thërret LDK-në në takim – Kjo është përgjigja e Albulena Haxhiut

VV nuk e thërret LDK-në në takim – Kjo është përgjigja e Albulena Haxhiut

Më shumë se një orë ka zgjatur takimi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje të mbajtur sot. Pas përfundimit të këtij takimi askush nuk ka dhënë sqarime se për çka është biseduar, përveç se është thënë se do të lëshojnë një komunikatë për media.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosjes Albulena Haxhiu, tha se për mbledhjen do të njoftojnë nëpërmes një komunikate për media lidhur me atë se çka është biseduar.

E pyetur se a do të ketë një takim mes Vetëvendosjes dhe LDK-së gjatë ditës së sotme, ajo tha se nuk beson se do të ndodhë një gjë e tillë.

“Më vonë do të njoftoheni për qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje. Nuk besoj që do të ketë”, tha ajo.

Ndërkaq, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca, shkurtimisht ka thënë se në këtë mbledhje është diskutuar për zhvillimet e fundit.

“Për pak minuta do ta keni një qëndrim zyrtar të Lëvizjes Vetëvendosje. Për gjithçka që po ndodh, kemi diskutuar për zhvillimet e fundit”, tha ai.

Detaje se çka është biseduar në këtë takim nuk ka dhënë as deputeti Haki Abazi, por i cili ka potencuar se nuk është biseduar lidhur me koalicionin e mundshëm me LDK-në.

“Nuk kam koment, mund të bisedoni me ata të tjerët, nuk kemi pasur kurrgjë lidhur me koalicionin”, tha Abazi.

Edhe deputetja Arbëri Nagavci nuk ka dhënë detaje nga takimi, duke thënë se kanë diskutuar temat e zakonshme.

“Kemi diskutuar të zakonshmet”, tha ajo.

Kujtojmë se nesër në ora 15:00 është caktuar mbajtja e seancës konstituive ku pikë e rendit të ditës përveç betimit të deputetëve do të jetë edhe zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve.

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para në zgjedhjet e 6 tetorit, ndërsa ende nuk kanë arritur një marrëveshje me LDK-në për formimin e koalicionit qeveritar. LDK insiston pozitën e presidentit gjë që po refuzohet nga Vetëvendosje./ Insajderi.com