VV: Nuk do ta paguajmë haraçin e Thaçit

VV: Nuk do ta paguajmë haraçin e Thaçit

Rexhep Selimi ka thënë se askush s’duhet të paguajë haraçin e nënshkrimit të demarkacionit me Malin e Zi. Ka thënë se Shefi i Shtetit ka bërë shkelje të Kushtetutës kur ka arritur marrëveshje në dëm të Kosovës për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Rexhep Selimi, deputet i Vetëvendosjes, pasluftës e ka pasur Shef Hashim Thaçin. Ka mbajtur pozitën e Ministrit të Punëve të Brendshme në Qeverinë e Përkohshme.

Tash, ish-Ministri i Brendshëm po lëshon akuza për haraç ndaj Presidentit Thaçi.

Sipas Rexhep Selimit, Qeveria dhe as institucionet tjera nuk duhet të paguajnë haraçin e nënshkrimit të marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

“Ne nuk mund ta paguajmë haraçin e nënshkrimit të Thaçit për humbje territori”, thotë Selimi për zëri.info.

Ai kundërshton idenë e Presidentit të miratohet në Parlament versionin i nënshkruar i marrëveshjes më Malin e Zi.

“Humbja e territorit si kompromis është e pafalshme, shkelje e sovranitetit, është shkelje e integritetit territorial të Republikës së Kosovës, është shkelje e Kushtetutës së Kosovës”, ka shtuar Selimi.

Ky zyrtar i Vetëvendosjes, për dallim prej anëtarëve të tjerë, Thaçit i është referuar si President. Ka thënë se i njëjti ka shkelur Kushtetutën me marrëveshjen për demarkacion.

“ Thaçi, kryeministër i djeshëm dhe president i sotëm, ka bërë shkelje të Kushtetutës në dëm të shtetit dhe të integritetit territorial të Republikës së Kosovës në momentin kur e ka nënshkruar këtë marrëveshje”, ka shtuar ai.