Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar Qeverinë e Kosovës të udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti se po i trimëron shkelësit e ligjit, në vend që t’i ndëshkojë, shkruan Insajderi.
Sipas këtij subjekti politik, qeveria “e paligjshme” tash edhe 47 ditë pas ka dështuar të japë përgjegjësi për vjedhjen e shumë se 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.
“Kështu kjo qeveri e paligjshme fillimisht nuk e parandaloi, e tash edhe 47 ditë pas ka dështuar të japë edhe përgjegjësinë më të vogël për vjedhjen e organizuar të më shumë se 2 milionë eurove nga kuleta e shtetit”.
“Në vend se të forconte institucionet e drejtësisë, ajo e zhbëri procesin e vettingut. Në vend se të luftonte korrupsionin, ajo e zhbëri task forcën antikorrupsion. Në vend se t’i ndëshkojë shkelësit e ligjeve, ajo veçsa po i trimëron ata. Prandaj edhe në vend se të shtiret kinse po qeverisë, ajo duhet të shkojë”, thuhet në postimin e VV-së në Facebook./Insajderi.com