VV reagon pas aksionit të Policisë në veri të Mitrovicës

VV reagon pas aksionit të Policisë në veri të Mitrovicës

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas aksionit të sotë të Policisë që ka rezultuar me 28 persona të arrestuar, prej tyre 19 policë dhe 9 qytetarë, si dhe 4 të plagosur.

Partia e Kurtit vlerëson se Policia e Kosovës ka kapacitet për ta luftuar krimin, por ka kritikuar prokurorët dhe krerët institucionalë se, sipas tyre nuk po japin urdhëra për këtë.

Në rasgimin e VV-së thuhet se krim të organizuar dhe korrupsion të lartë nuk ka vetëm në veri, por në të gjithë vendin.

Ky është reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje:

Kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës, Policia e Kosovës sot ka ndërmarrë një aksion të gjerë, përfshirë këtu pjesën veriore të vendit tonë.

Kjo dëshmon se policia jonë ka mundësi, aftësi dhe kapacitete për të luftuar krimin, por përgjithësisht mungojnë urdhërat zyrtarë nga prokuroria dhe vullneti politik nga krerët institucionalë.

Komunat në veri të Ibrit janë në Republikën e Kosovës sikurse të gjitha komunat e tjera. Sa më pak që zyrtarët e Serbisë flasin për çështjet e Kosovës aq më shumë paqe dhe siguri për të gjithë do të kemi.

Në anën tjetër, nuk duhet harruar se krim të organizuar e korrupsion të lartë nuk ka vetëm në veri por gjithandej vendit tonë. Edhe komunat në jug të Ibrit janë në shtetin tonë dhe askush nuk bën të jetë mbi ligjin apo jashtë tij.

Të gjithë të arrestuarve duhet t’iu garantohet trajtim ligjor, në ruajtje të dinjitetit njerëzor, dhe, gjyqësi e drejtë, e paanshme dhe profesionale.

Pjesëtarëve të plagosur të policisë sot, u dëshirojmë shërim të shpejtë dhe të plotë.