Lëvizja Vetëvendosje i ka quajtur “propagandë të pushtetit” akuzat ndaj Komunës së Prishtinës mbi “gjoja punësimet e paligjshme nga Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti”.
Përmes një komunikate për media, Lëvizja Vetëvendosje i ka dalë në krah kolegëve të tyre që udhëheqin me Komunën e Prishtinës, duke thënë se ata gëzojnë mbështetjen e të gjithë anëtarësisë së kësaj partie.
Mediat kanë raportuar ditëve të fundit që në Komunë e Prishtinës janë punësuar njerëz të afërt me këtë parti, por këto pretendime janë hedhur poshtë nga Vetëvendosje.
Për më tepër, sipas partisë më të madhe opozitare në vend, e gjithë kjo po ndodh në kohën kur përgjimet telefonike të zyrtarëve të lartë të PDK-së që po publikohen nga Insajderi “po i heqin dilemat edhe tek ata pak njerëz që kishin ende dyshime mbi këtë pushtet kriminal, partitë e koalicionit për kapjen e shtetit.”
Në këtë kontekst, Vetëvendosje thotë se Sa më e qartë që duket situata për qytetarët, aq më shumë nevojë për gënjeshtra e mjegull ka ky pushtet.
“E vetmja mënyrë e tyre për tu mbrojtur është duke thënë se të gjithë janë si ne. Shpifjet që po i bazojnë në falsifikime listash u demaskuan shumë shpejt nga vetë personat e angazhuar nga Komuna”, thuhet në komunikatë./Insajderi.com