VV s’ka shpresa për koalicionin me LDK-në

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, nuk po arrijnë që të merren vesh për të lidhur koalicion për bashkëqeverisje për mandatin e ardhshëm katër vjeçar, pasi dolën të parat në zgjedhjet e 6 tetorit 2019.

VV s’ka shpresa për koalicionin me LDK-në

Koalicioni që para zgjedhjeve të 6 tetorit dukej lehtë i arritshëm po del të jetë më i vështirë se sa është menduar. Lëvizja Vetëvendosje që fitojë zgjedhjet për herë të parë dhe Lidhja Demokratike e Kosovës që doli e dyta, nuk po merren vesh për koalicion qeverisës, shkruan Gazeta Insajderi.

Këto dy parti nuk po pajtohen se si t’i ndajnë postet udhëheqëse. Zyrtarët e dy subjekteve politike po ia hedhin fajin njëra-tjetrës për mos arritjen e marrëveshjes për koalicion qeverisës.

Në Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit, thonë se ata janë shumë të interesuar që të arrijnë marrëveshje për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë për Gazetën Insajderi, se ofertën që ia kanë ofruar partisë së Isa Mustafës, po presin që ta diskutojnë në Këshillin Drejtues të tyre dhe t’iu kthejnë përgjigje.

Megjithatë, ajo thotë se pavarësisht interesimit të tyre për të arritur marrëveshje për koalicion, nuk mund të japin garanci se një gjë e tillë mund të ndodhë.

“Do të vazhdojnë përpjekjet për arritjen e marrëveshjes. Negociatat nuk janë ndërprerë. Jemi shumë të interesuar për koalicion, por nuk mund të japim garancion për këtë. Presim që LDK ta thërras Këshillin Drejtues për ta diskutuar propozimin tonë”, ka thënë Haxhiu për Gazetën Insajderi.

Teksa në Vetëvendosje presin LDK-në që t’iu kthej përgjigje në ofertën e tyre, në partinë që drejton Isa Mustafa, topin e hedhin tek partia e Kurtit, duke thënë se ata janë përgjegjës për të gjetur zgjidhjen dhe për të arritur marrëveshje për koalicion.

Është vet kreu i LDK-së Isa Mustafa, i cili thotë se përgjegjës për zgjidhjen e problemit për arritjen e marrëveshjes është Vetëvendosje, e jo partia e tij.

“Zgjidhjen e japin ata, e jo ne”, ka thënë shkurt Mustafa, pas takimit që ka pasur me ambasadorin e ShBA-së, Philip Kosnett.

Deri para 26 dhjetorit, ditës kur u konstituua Kuvendi dhe Glauk Konjufca u zgjodh kryetar i Kuvendit, Vetëvendosje nuk pajtohej me kërkesën e LDK-së që të kishte të drejtën e propozimit të kandidatit për president kur të vije koha, tani ka ndryshuar situata.

LDK tani po kërkon që VV t’ia kthej postin e kryeparlamentarit, por që tani ky subjekt politik nuk po pranon, ku në këmbim të këtij posti po ia ofron partisë së Mustafës edhe një ministri, të cilën mund ta zgjedhin.

Nga kjo, duket se dy palët nuk do të lëvizin nga qëndrimet e tyre, gjë që po e bënë zor të arritshëm koalicionin mes tyre për formimin e Qeverisë.

Kujtojmë se Vetëvendosje e LDK kanë provuar të arrijnë marrëveshje për koalicion edhe para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit.

Por, sikurse sot pozitat udhëheqëse, edhe atëherë ishte kandidati për kryeministër shkaktar i mosarritjes së një koalicioni me të cilin synon të hynin bashkë në zgjedhjet e 6 tetorit. LDK e VV nuk ishin pajtuar se kush duhet ta ketë kandidatin për kryeministër, Albin Kurti apo Vjosa Osmani.

Megjithatë, ani pse nuk ishte arritur marrëveshje për koalicion parazgjedhor, krerët e dy partive deklaruan se pas zgjedhjeve do të jenë në pyetje orët për të arritur marrëveshje për koalicion qeverisës.

Madje, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kishte thënë se me LDK-në, do t’i duhen vetëm 72 orë për të firmosur koalicionin që sipas tij, do të jetë koalicion i shpresës.

Mos arritja e koalicionit mes këtyre dy partive ka bërë që kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti, po vazhdon ta zvarris marrjen e mandatit për formimin e Qeverisë. Pas tri ftesave të dërguara nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për kryetarin e VV-së, që të shkonte në takim për konsulta, partia e tij ende nuk ia ka dërguar emrin e mandatarit për kryeministër.

Dje, përmes një letre, presidenti Thaçi sërish i kërkoi përmes një letre Vetëvendosjes që ta propozojë emrin për kryeministër. Por, kreu i shtetit sërish nuk e mori emrin për kryeministër. Madje, mori kritika nga subjekti i udhëhequr nga Albin Kurti, se po ai po iu bënë presion.

Megjithatë, në ditët në vazhdim mbetet të shihet nëse këto dy subjekte do të arrijnë që të merren vesh për ndarjen e posteve dhe formimin e institucioneve qeveritare.  /Insajderi.com