Tenderi në vlerë prej 12 milionë euro për “Konsulencë për themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit për nevojat e Komunës së Prishtinës”, po i duket i “dyshimtë dhe “favorizues” Lëvizjes Vetëvendosje.
Shefi grupit të asamblistëve të LVV-së në Komunën e Prishtinës, Gëzim Sveçla në konferencën për media, tha se kjo kontratë është e dyshimtë, pasi ka kosto tejet të lartë dhe është favorizuese pasi është fushë e njëjtë profesionale me atë të kryetarit të komunës, Përparim Rama.
Ai tha se komuna ka shumë probleme të tjera të cilat janë më emergjente.
Në anën tjetër, asamblistja e VV-së që vjen nga Lista Guxo, Triera Kasumi, tha se kryeqyteti ka një listë të gjatë problemesh kronike, por sipas saj, jepet një tender milionësh që është sa 13% e buxhetit vjetor.
“Banorët e këtij qyteti i cili karakterizohet me më së shumti qenë endacakë në rajon, qyteti i cili është mbuluar me mbeturina, ka mungesë të ujit të pijshëm në disa lagje e fshatra, mungesë të ndriçimit publik, mungesë të rrugëve e cilësi të dobët të asfaltit, uzurpim të hapësirave publike e një listë të gjatë me probleme kronike, më emergjente e kanë themelimin e një shërbimi të arkitekti të kryeqytetit i cili Prishtinës i kushton sa 13 për qind e buxhetit të përgjithshëm vjetor”, tha Kasumi.
Tenderi është shpallur përmes procedurës së kufizuar. Ndërsa kohëzgjatja e kontratës do të jetë 36 muaj.
Afati i fundit për dorëzimin e ofertave është 31 gushti. Sipas njoftimit, në bazë të aplikacioneve të pranuara, më së shumti 6 kandidatë do të ftohen për të dorëzuar tenderët e detajuar të kësaj kontrate.
Në dosjen e tenderit thuhet se qëllimi i këtij projekti është krijimi i hartës unike të planifikimit të kryeqytetit, krijimi i bazave te shënimeve, krijimi i bazës së sistemit gjeografik të informacionit, krijimi i rregulloreve dhe manualeve të nevojshme për funksionimin e pakove programore për përcjelljen e lejeve, ndërtimeve, mirëmbajtjeve, tatimit dhe shërbimeve komunale dhe krijimi i sistemit interaktiv online të komunikimit me qytetarët./Insajderi.com