VV: Tenderi 12 milionë euro i shpallur nga Komuna e Prishtinës i dyshimtë dhe favorizues

VV: Tenderi 12 milionë euro i shpallur nga Komuna e Prishtinës i dyshimtë dhe favorizues

Tenderi në vlerë prej 12 milionë euro për “Konsulencë për themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit për nevojat e Komunës së Prishtinës”, po i duket i “dyshimtë dhe “favorizues” Lëvizjes Vetëvendosje.

Shefi grupit të asamblistëve të LVV-së në Komunën e Prishtinës, Gëzim Sveçla në konferencën për media, tha se kjo kontratë është e dyshimtë, pasi ka kosto tejet të lartë dhe është favorizuese pasi është fushë e njëjtë profesionale me atë të kryetarit të komunës, Përparim Rama.

Ai tha se komuna ka shumë probleme të tjera të cilat janë më emergjente.

“Veprime abuzive siç është rasti me tenderin për konsulencë, nuk është që s’e kemi pritur, por jo kaq shpejt. Pra, ka keqmenaxhim dhe rezultate zero nga kryetari Rama. Janë bërë tetë muaj, për këtë periudhë dhe lajmi më i mirë është se kryetari Rama ka mbaruar mandatin 20 për qind. Kryetari Rama nuk ka as vizion dhe vullnet për t’i zgjidhur problemet e shumta të qytetarëve të Prishtinës, pra asgjë nga premtimet e dhëna nuk kanë nis të zbatohen”, tha ai.
Shefi i asamblistëve të VV-së në Prishtinë, Gëzim Sveçla

Në anën tjetër, asamblistja e VV-së që vjen nga Lista Guxo, Triera Kasumi, tha se kryeqyteti ka një listë të gjatë problemesh kronike, por sipas saj, jepet një tender milionësh që është sa 13% e buxhetit vjetor.

“Banorët e këtij qyteti i cili karakterizohet me më së shumti qenë endacakë në rajon, qyteti i cili është mbuluar me mbeturina, ka mungesë të ujit të pijshëm në disa lagje e fshatra, mungesë të ndriçimit publik, mungesë të rrugëve e cilësi të dobët të asfaltit, uzurpim të hapësirave publike e një listë të gjatë me probleme kronike, më emergjente e kanë themelimin e një shërbimi të arkitekti të kryeqytetit i cili Prishtinës i kushton sa 13 për qind e buxhetit të përgjithshëm vjetor”, tha Kasumi.

Tenderi është shpallur përmes procedurës së kufizuar. Ndërsa kohëzgjatja e kontratës do të jetë 36 muaj.

Afati i fundit për dorëzimin e ofertave është 31 gushti. Sipas njoftimit, në bazë të aplikacioneve të pranuara, më së shumti 6 kandidatë do të ftohen për të dorëzuar tenderët e detajuar të kësaj kontrate.

Në dosjen e tenderit thuhet se qëllimi i këtij projekti është krijimi i hartës unike të planifikimit të kryeqytetit, krijimi i bazave te shënimeve, krijimi i bazës së sistemit gjeografik të informacionit, krijimi i rregulloreve dhe manualeve të nevojshme për funksionimin e pakove programore për përcjelljen e lejeve, ndërtimeve, mirëmbajtjeve, tatimit dhe shërbimeve komunale dhe krijimi i sistemit interaktiv online të komunikimit me qytetarët./Insajderi.com