Pas vizitës në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, deputetët e pranishëm janë deklaruar rreth kësaj vizite për çka thonë se po shihet një rënie drastike e numrit të rasteve pozitive me COVID-19, gjë që sipas tyre e ka lehtësuar edhe hospitalizimin e pacientëve.
Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, thotë se brenda dy javëve është përgjysmuar numri i pacientëve të cilët janë duke u trajtuar nëpër spitalet dhe klinikat e Kosovës për COVID-19.
“Kemi numër përgjysëm të pacientëve të hospitalizuar, një rënie drastike për gjysmë e rasteve për dy javë, gjë që është tregues e mirë, nuk do të ndalemi me masat parandaluese krahas vaksinimit që po ndodhë gjatë këtyre ditëve”, ka thënë ajo, duke shtuar se angazhimi i tyre nuk do të ndalet edhe për rritjen e shtesave për puëntorët mjekësorë.
“Ne do të angazhohemi për rritje të shtesave, ndërsa angazhimi kryesor do të jetë te ligji i ri për paga”, ka thënë Kollçaku para mediave.
“Kërkesa kryesore është mbështetja buxhetore por për shkak të procedurave të vështira të prokurimit prandaj do të angazhohemi që të ndryshojë legjislacioni për prokurimin e barnave”, shton ajo.
Ndërkaq, drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, Valbon Krasniqi, ka thënë se në këtë takim kanë shprehur kërkesat e tyre sa I përket mbarëvajtjes së punës në SHSKUK, duke përfshirë edhe përkrahjen në aspektin e formimit të legjislacionit të ri.
“Ne japim për çdo ditë raportin për rastet e hospitalizuara në nivel vendi, kemi situatë shumë më të qetë për sa i përket hospitalizimit të pacientëve”, ka thënë më tej Krasniqi.
“Ne kërkojmë që shtesat në bazë të mundësive buxhetore të jenë sa më të mëdha për punëtorët shëndetësorë, të cilët japin shërbime shëndetësore në vijën e parë të frontit”, shtoi ai.
Derisa deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, tha se një ndër temat për të cilat është diskutuar në këtë vizitë është edhe fakti se Kosova vazhdon të jetë vendi i vetëm në Evropë që nuk ka kontratë për furnizim me vaksina, derisa të gjitha vaksinat e siguruara janë donacion.
Ai hodhi kritika ndaj Qeverisë për “ritmin e ngadalshëm të vaksinimit”, për çka tha se me këtë ritëm do të duhet kohë e gjatë për të vaksinuar të gjithë qytetarët.
“Kosova vazhdon të jetë vendi i vetëm në Evropë që nuk ka kontratë për furnizim me vaksina. Në programin e Qeverisë ne nuk kemi parë që ka ndonjë planifikim për rritjen e pagës sa i përket stafit shëndetësorë.
Nuk ka pasur refuzim të stafit mjekësor sa i përket vaksinimit, nëse ka në media ndonjë interpretim të tillë është i gabueshëm, mirëpo brengosëse për neve është fakti që ritmi i vaksinimit është i ngadalshëm. Qeveria e ka si strategji që të vaksinojë në ritëm më të ngadalshëm në mënyrë që të arsyetohet mungesa e sigurimit të vaksinave”, ka thënë ai. /Insajderi.com