VV thotë se Veseli i prinë një skeme kriminale brenda Policisë

VV thotë se Veseli i prinë një skeme kriminale brenda Policisë

Sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, në një konferencë për media ka prezantuar “strukturën e krimit të organizuar brenda Policisë së Kosovës”.

Vetëvendosje thotë se një skemë e tillë drejtohet nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

“Kjo skemë e paraqitur ka në krye Kadri Veselin, i cili për një kohë të gjatë ishte në krye të Shërbimit Informativ të Kosovës, kurse tash është në krye të Kuvendit dhe PDK-së. Në skemë shfaqen qartë lidhjet e drejtuesve të departamenteve kryesore në Policinë e Kosovës me Kadri Veselin dhe PDK-në,” thuhet në një komunikatë të VV-së.

Sipas VV-së, një skemë e tillë ka “bërë që Kosova të renditet si vend me nivel të lartë të krimit të organizuar dhe trafikimit me qenie njerëzore dhe drogë në raportet e progresit dhe raporte të tjera ndërkombëtare.”

Partia më e madhe opozitare ka përfshirë në këtë skemë edhe deputetin e PDK-së, Ilmi Recica si dhe drejtorin e Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni./Insajderi.com