Dy figurat kryesore të VV-së i kanë ikur fjalës kombëtarja e Kosovës apo ekipi i Kosovës kur kanë uruar për pranimin e Kosovës në UEFA. Në vend të kombëtares së Kosovës në futboll, VV ka uruar ekipet e futbollit kosovarë.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri nëpërmjet një statusi në Facebook ka uruar anëtarësimin e Kosovës në UEFA, por i është shmangur urimit të kombëtares të Kosovës.
“Pranimi në UEFA është lajm i mirë për sportistët dhe qytetarët e Kosovës. Jemi të gëzuar sa herë që vendi ynë njihet ndërkombëtarisht, në çfarëdo fushe”, ka shkruar Ymeri.
Ai nuk ka përmendur askund kombëtaren e Kosovës e as faktin nëse futbollistët kosovar që luajnë jashtë vendit duhet të jenë pjesë e ekipit të Kosovës në futboll.
Në vend të kësaj Ymeri, ka shkruar sesi futbollistët e Kosovës duhet ta rrisin cilësinë e futbollit.
“Ekipet dhe futbollistët e Kosovës duhet ta shfrytëzojnë anëtarësimin në UEFA për ta ngritur tutje cilësinë e futbollit në Kosovë”, ka shkruar Ymeri.
Ekipin e Kosovës nuk e ka përmendur askund as kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Madje ai në versionin e parë të statusit të tij në Facebook, nuk e ka përmendur fare faktin e pranimit të kombëtares së Kosovës në UEFA.
“Me këtë pranim rritet motivimi i secilit lojtar që luan në ligen e Kosovës…”, ka shkruar fillimisht Ahmeti duke ngjallë reagim tek një qytetar që e ka pyetur për “cilin pranim” e ka fjalën.
Ahmeti është detyruar ta ndryshojë këtë fjali duke shkruar “Me pranimin e Kosovës në UEFA rritet motivimi i secilit lojtar që luan në ligen e Kosovës…”
Por edhe ky si Ymeri nuk e ka përmendur kurrkund kombëtaren e Kosovës.