VV voton kundër rezolutës së PDK-së, Ismaili: Qeveria Kurti e konfirmoi se s’ka vullnet për bashkëpunim në sigurimin e vaksinave

VV voton kundër rezolutës së PDK-së, Ismaili: Qeveria Kurti e konfirmoi se s’ka vullnet për bashkëpunim në sigurimin e vaksinave

Deputeti I Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka thënë se Qeveria Kurti 2 me refuzimin e rezolutës së propozuar në Kuvend nga partia të cilën e përfaqëson, e ka treguar se nuk ka vullnet për bashkëpunim sa I përket sigurimit të vaksinave dhe rritjes së kapaciteteve në menaxhimin e pandemisë, njofton Insajderi.

Rezoluta e propozuar nga PDK-ja nuk ka kaluar në Kuvend sot.

“Duke votuar kundër Rezolutës të propozuar nga PDK-ja, Qeveria Kurti 2 edhe një herë e konfirmoi që nuk ka vullnet për bashkëpunim sa i përket sigurimit të vaksinave dhe rritjes së kapaciteteve për menaxhim të COVID-19. Sigurimi sa më i shpejtë i vaksinës dhe administrimi sa më efikas janë kërkesa kryesore e qytetarëve – të cilët janë të dërrmuar nga pandemia. Rezoluta jonë, që sot nuk u miratua, kishte për qëllim sigurimin sa më të shpejtë të vaksinave anti-COVID-19, si dhe rritjen e kapaciteteve për aplikim dhe administrim të vaksinës në gjithë Kosovën. Qeveria Kurti 2 duhet të tejkalojë arrogancën e pushtetit dhe të kthejë vëmendjen te qytetarët, që çdo ditë e më shumë po thellohen në krizë të pandemisë”, ka shkruar Ismaili në Facebook.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës ka prezantuar rezolutën pas debatit parlamentar lidhur me gjendjen e pandemisë COVID-19 në Kosovë, mirëpo ajo nuk ka kaluar pasi që deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë votuar kundër.

Ishte vetë deputeti Ismaili ai I cili ka prezantuar të gjitha pikat e rezolutës:

  1. Obligon Qeverinë e Republikës së Kosovës për marrjen e masave, veprimeve e vendimeve për sigurimin e vaksinave anti-COVID-19 të nevojshme si dhe të mjeteve dhe medikamenteve mjekësore dhe shëndetësore për menaxhimin e situatës pandemike, në afat prej më së largu një muaj nga miratimi i kësaj rezolute.
  2. Bazuar në Ligjin Nr. O7/L-006 për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës, obligon Qeverinë e Republikës së Kosovës që të bashkëpunoj me IKSHPK-në për të miratuar planin për vaksinim të qytetarëve me vaksinën anti-COVID-19 dhe i njëjti të bëhet publik, të jetë transparentë me qëllim që qytetarët të kenë sa më shumë informata për procesin e imunizimit të qytetarëve.
  3. Obligon Qeverinë e Republikës së Kosovës për zgjerimin e kapaciteteve logjistike për sigurimin e regjistrave demografik dhe krijimin e databazave dhe aplikacioneve në nivel komunal dhe qendror për qëllime të vaksinimit efektiv të qytetarëve;
  4. Obligohet Qeveria e Kosovës që të zbatojë Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike me qëllimin të stimulimit të profesionistëve shëndetësor dhe stafin mbështetës.
  5. Konfirmon zotimin që Republika e Kosovës përmes legjislacionit të miratuar, do të angazhohet për t’i dalë në ndihmë përmes mbështetjes financiare, grupeve të caktuara shoqërore, shëndeti i të cilëve rrezikohet si rezultat i punës së tyre në shërbim të shtetit dhe shoqërisë që lidhet me menaxhimit e pandemisë së virusit Covid-19;
  6. Përfituesve të mbështetjes financiare nga pika 5 e kësaj rezolute, do të ofrohet mbështetje si në vijim:

6.1.Të gjithë të punësuarit në sektorin publik të cilët me veprimtarinë e tyre përballen me menaxhimin pandemisë COVID-19, stimulohen dhe mbështeten financiarisht. Profesionistët shëndetësor mbështeten me pagesë shtesë prej treqind euro (300 euro), ndërsa punëtorët jo shëndetësor me pagesë shtesë prej dyqind euro (200 euro), për muaj mbi pagën bazë për muajt prill, maj dhe qershor 2021. Burimi i financimit për mbulimin të mbështetjes financiare nga pika 5 dhe 6 e kësaj rezolute, sigurohet nga buxheti i Republikës së Kosovës:

  1. Kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës, që në afat sa më të shkurtër kohor të ndërmerrë veprimet e nevojshme ligjore për zbatimin e mbështetjes financiare të përcaktuar në pikën 5 të kësaj rezolute. /Insajderi.com