“Përpjekja e zyrtarëve në Serbi për ta prezantuar Masakrën e Reçakut si ngjarje të trilluar, bëhet për shkak se disa zyrtarë aktualë në Beograd kanë qenë të përfshirë në krime kundër popullatës civile në Kosovë”.
Kështu deklaroi të premten ish-diplomati amerikan, William Walker, si kundërpërgjigje ndaj Ministrit të Brendshëm të Serbisë, Aleksandar Vulin, i cili e cilësoi sërish si “trillim” Masakrën e Reçakut.
Walker thotë se Masakra e Reçakut, në të cilën forcat serbe kanë vrarë 45 civilë shqiptarë në janar të vitit 1999, është një ngjarje që s’mund ta mohojë e as modifikojë askush.
“Mendoj se presidenti [i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është shembull shumë i mirë. Ai ka qenë ministër i Informimit në kohën e Sllobodan Millosheviqit. Ka qenë pjesëmarrës në vendimmarrjen e asaj kohe”.
Ai e bën përgjegjës presidentin serb për “rol të rëndësishëm” në fshehjen e krimeve që forcat serbe të sigurisë kanë kryer ndaj popullatës civile në Reçak, por edhe në pjesë të tjera të Kosovës.
“Ai [Aleksandar Vuçiq] ka qenë i përfshirë që nga fillimi në përpjekjen për të mbrojtur të pambrojturën, e që është fakti se forcat e sigurisë së Serbisë nuk kanë qenë të përfshira në vetëm atë që ka ndodhur në Reçak, por kanë qenë të përfshira në shumë masakra dhe krime kundër njerëzimit”, thotë Walker për REL-in.
Walker ishte personi i parë që vizitoi Reçakun, në ditën kur ndodhi masakra në këtë fshat.
Asokohe, ai ishte shef i një misioni vëzhgues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Pas vizitës në vendin e masakrës, ai mbajti një konferencë në Prishtinë, ku për herë të parë deklaroi se ajo që kishte parë, ishte “një krim i rëndë kundër njerëzimit”.
Masakra e Reçakut ka qenë një nga momentet vendimtare për nisjen e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve të ushtrisë serbe, më 24 mars, 1999.
Kjo nuk është hera e parë që Vullin e mohon masakrën e Reçakut. Autoritetet në Serbi, që udhëhiqen nga presidenti Aleksandar Vuçiq, këtë masakër e kanë cilësuar si “krim të fabrikuar”.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë dhe Radio Televizioni i Serbisë janë në një bashkëprodhim të një seriali me gjashtë episode, të quajtur “Dosja e Kosovës”, i cili, siç është paralajmëruar, trajton “kronologjinë e ngjarjeve dhe fatin e civilëve dhe policisë në Kosovë” nga viti 1998 deri më 2001./Insajderi.com