Walker inicion bashkimin e diasporës shqiptare, kërkon vende të rezervuara në parlament

Walker inicion bashkimin e diasporës shqiptare, kërkon vende të rezervuara në parlament

Ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker, ka iniciuar një lëvizje për bashkimin e diasporës shqiptare në një zë të vetëm, me qëllim të merren edhe vende parlamentare të rezervuara në parlamentet përkatëse dhe stimulim të votës për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, transmeton Shqip.com.

Me një letër drejtuar diasporës së Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi e Luginës së Preshevës, Walker ka thënë se remitancat që ata dërgojnë janë qenësore për mirëqenien ekonomike të shqiptarëve. Megjithatë, sipas tij, ndihma e diasporës dhe kontributi i saj nuk kanë ndikim në procesin e vendimmarrjes ku paratë e tyre shpenzohen.

“Në shtetet me shkallë të lartë të papunësisë (si Kosova me 38%) dhe ekonomi jostabile, remitencat janë shpesh dallimi mes varfërisë dhe mirëqenies relative. Për fat të keq, kjo rrjedhje e kapitalit rrallë kontribuon në përmirësimin afatgjatë individual apo kombëtar, por në vend të kësaj shkon në konsum të menjëhershëm. Prandaj, gjersa ndikimi ekonomik i diasporës është i madh, efektet e saj afatgjate janë minimale. E meta e dytë është se këta donatorë jashtë shtetit, të cilët shpresojnë që kontributet e tyre do t’i përmirësojë kushtet e jetës në atdheun e tyre, nuk kanë ndikim në procesin e vendimmarrjes ku paratë e tyre shpenzohen. Vendimmarrësit politikë në atdhe japin premtime boshe për rëndësinë, këshillat dhe aspiratat e atyre që jetojnë jashtë vendit”, ka thënë ai, raporton “Koha”.

Sipas tij, diaspora është e zhgënjyer me mënyrën se si gjërat po shkojnë në atdhe.

“Pak veta, nëse ka, shprehin konsideratë pozitive për gjendjen aktuale. Shumica bashkohen me mua në kritikën e ashpër ndaj klasës politike, vendimmarrësve, dhe shprehin mendimin se gjërat jo vetëm që nuk janë duke u përmirësuar, por janë duke shkuar në drejtim të gabuar. Ekziston një marrëveshje e përhapur se diçka duhet të bëhet. Kam ndërmend të provoj”, ka thënë ai duke shtuar se lidhjet ekonomike të diasporës me atdheun janë “të nënvlerësuara” nga njerëzit në pushtet.

Madje, sipas Walkerit, asgjë s’mund të korrigjohet nga ata që janë të përfshirë në pushtet pasi “vendimmarrësit e sotëm anembanë rajonit janë politikanë dhe jo patriotë, janë shumë të fuqishëm, shumë të korruptuar, shumë të përkushtuar në lojën me shumë zero të politikës dhe shumë të varur nga mentorët ndërkombëtarë me motive joshqiptare, për t’i bërë reformat e nevojshme”. /Insajderi.com