Walker: Kam pritur telefonatë nga Presidentja Osmani edhe pas ndërprerjes së kontratës

Walker: Kam pritur telefonatë nga Presidentja Osmani edhe pas ndërprerjes së kontratës

Ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker, ka thënë se ka pritur një telefonatë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani edhe pas ndërprerjes së kontratës me Fondacionin, shkruan Insajderi.

Ai ka theksuar që hera e fundit kur ka komunikuar me Osmanin ka qenë para zgjedhjeve të 14 shkurtit.

“Sa i përket pyetjes së parë, jo, unë nuk e kam diskutuar këtë me presidenten Vjosa Osmani dhe nuk kam komunikuar me të që para zgjedhjeve, atëherë kur doli storja se ajo në njëfarë mënyre e ndërpreu kontratën me Fondacionin. Mendoj se ajo ka qenë shumë e zënë me garën zgjedhore dhe me negociatat për formimin e Qeverisë së re. Tani ajo është presidente, dhe siç thashë edhe më herët nuk kam folur me të që nga biseda e parë dhe në njëfarë mënyre kam pritur që ajo të më telefonojë”, ka thënë Walker në t7.

Ai ka kujtuar se në bisedën që pati me Osmanin se kontrata me Fondacionin nuk ishte vazhduar, shefes së shtetit i kishte thënë se do bëjë çdo gjë që të ndihmojë atë në qeverisje.

“Atëherë kur fola me të, unë i thashë se i dëshiroj asaj fat, unë mendoj se ajo mund të jetë pjesë mjaft pozitive në progresin e Kosovës, një presidente grua, një grua shumë e mençur dhe i thashë asaj se do të bëjë çdo gjë që është e mundur që të ndihmojë qeverisjen e saj të ketë sukses dhe kjo ofertë qëndron ende, por siç thashë edhe më herët ne nuk kemi folur që para zgjedhjeve”, ka pohuar ish-ambasadori Walker./Insajderi.com