Ish-ambasadori i OSVE-së në Kosovë, William Walker, është rikthyer në vend për nderim të viktimave në masakrën e Reçakut të cilën para 17 viteve kishte reaguar ashpër duke ngjallur komunitetin ndërkombëtarë karshi luftës në Kosovë.
Por 17 vite pas, qëndrimet e tija kanë ndryshuar. Sidomos për liderët politik, shumica e të cilëve janë ish-drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Këtë herë, Walker gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, ka folur për shumë media lokale, duke e sulmuar në mënyrë të veçantë presidentin Hashim Thaçi, ish-drejtorin politik të UÇK-së.
Duke folur në emisionin “Personale” në RTV Dukagjini, Walker të dielën e cilësoi presidentin si një person që i ka kaluar koha.
“Ai është burrë i pashëm”, por nuk jam admirues i tij, e vetmja gjë që Thaçi di të bëj, është që t’i mbajë të kënaqur ndërkombëtarët” tha Walker.
Madje tregoi se edhe është ndjerë i mashtruar nga ai dy tri herë.
“Konsideroj se jam keqpërdorur nja dy herë nga ai. Pas lufte e takova në Pejë dhe u ula për të pirë kafe me të. Më ftoi që të ecnim në rrugë dhe pasi ecnim më ftoi te një turmë njerëzish që kishin dalë ta prisnin dhe unë gjeta veten në mbështetje të tij në atë takim”, rrëfeu ish-ambasadori Walker.
Një ditë më vonë, Walker tregoi edhe një tjetër detaj nëpërmjet të cilit bëri të ditur se nuk e do Hashim Thaçin.
Në një bisedë për “Periskopi”, Walker tregoi se ka refuzuar të marrë një dekoratë nga Zyra e Presidentit të Kosovës, për të njohur meritat e tij gjatë luftës, sepse mendon se kjo do të ishte hipokrizi nga ana e tij, për shkak të dallimeve që ai thotë se ka me presidentin Thaçi.
“Unë vetëm mund të them se nuk isha i përgatitur që ta pranoja atë çmim. Kjo do ishte përgjigja ime nëse ata do të më kontaktonin personalisht. Mendoj se presidenti Thaçi dhe unë kemi disa dallime dhe ai e di këtë. Sigurisht e respektoj Zyrën e Presidencës, por them se do të ishte hipokrozi nga ana ime po ta pranoja atë dekoratë”, tha ish-ambasadori.
Por të njëjtin mendim nuk e ka edhe për krahun e djathtë të Hashim Thaçit, pasardhësin e tij në krye të PDK-së dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.
Për ish-kreun e SHIK-ut, Walker nuk ka mendim negativ. Atë madje e ka takuar edhe personalisht, të hënën.
Veseli është një nga njerëzit më të afërm të Hashim Thaçit me të cilin kanë qenë së bashku qysh në luftën e UÇK-së por edhe në proceset politike të viteve të fundit.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryetari të Kuvendit, Veseli, priti sot në takim ish ambasadorin William Walker. Veseli tha se Walker ka luajtur rol vendimtar në prezantimin para botës të krimeve të kryera në Kosovë gjatë luftës nga regjimi i Milosheviqit.
Për këtë rol të Walker-it, ka dashur ta dekorojë edhe Zyra e Presidentit Hashim Thaçi. Përkundër faktit se Walker ka refuzuar dekoratën e Thaçit, për Veselin, ai mbetet hero i gjallë.
“Shumë janë ata që kanë merita për këtë moment historik, por më meritori prej tyre është miku i madh i vendit tonë, z. William Walker. Ambasadori Walker është hero i gjallë i të vërtetës për Reçakun dhe Kosovën”, thuhet në komunikatën për media të Kuvendit.
Gjatë takimit Veseli dhe Walker thuhet se diskutuan për zhvillimet aktuale në Kosovë, për problemet dhe sfidat nëpër të cilat është duke kaluar shteti dhe shoqëria kosovare./Insajderi.com