Eksperti gjerman dhe njohësi i çështjeve politike, Bodo Weber ka thënë se krizat politike në Kosovë po ndikojnë në procesin e dialogut. Sipas tij këto zhvillime politike në Kosovë po shihen me shqetësim në kryeqytetet perëndimore, njofton Insajderi.
Weber thotë se ndërhyrja e Ruchard Grenellit në negociata ka shkaktuar problem në ecurinë e dialogut.
“Bllokimi ka ndodhur kur SHBA-të ndërhynë në procesin e dialogut të drejtuar nga Bashkimi Evropian. Rivendosjen e negociatave veçanërisht e dëmtoi emisari Richard Grenell. Unë pres që Biden të përfshihet ën proces duke u bazuar në bashkëpunimin e ngushtë transatlantik”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Bodo Weber.
Weber thotë se edhe mungesa e unitetit mes faktorit politik në Kosovë po ndikon në dialog.
“Por do të thosha se problemi nuk është te ndryshimet e shpeshta të qeverive në Kosovë. Problemi që nga fillimi është tek shtetet kryesore të BE-së, që ndajnë pikëpamje të ndryshme për procesin e dialogut. Gjithashtu ekziston një mungesë uniteti prej 2/3 e votave në Kuvendin e Kosovës. Mungesa e unitetit nga Prishtina, natyrisht se po ndikon negativisht në dialog”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Analiste gjerman e sheh si esenciale që dialogu të fillojë gjatë vitit që sapo kemi hyrë.
“Dialogu duhet të fillojë me një kornizë të qartë të diskutimeve në mënyrë që të ketë një marrëveshje përfundimtare mes palëve. Padyshim që paqëndrueshmërie e brendshme politike në Kosovë po shihet me shqetësim në shtetet perëndimore dhe zgjedhjet e reja nuk po iu japin zgjidhje problemeve të Kosovës”, deklaroi ndër të tjera Bodo Weber./Insajderi.com