Nënkryetari i Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, Xhafer Gashi, thotë se lideri i partisë së tij, Ramush Haradinaj, është kandidati më i denjë për postin e presidentit të Kosovës, transmeton Insajderi.
Sipas tij, ky posti i takon Haradinajt, meqë ky i fundit ka dhënë shumë për Republikën në dekadat e fundit, duke shtuar se edhe formulat politike brenda koalicionit i japin të drejtë që AAK-së që të propozojë presidentin.
”Posti i presidentit i takon Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës sepse edhe formulat politike, koalicionet të çojnë në këtë drejtim. Pastaj, kandidati i Aleancës është Ramush Haradinaj, i cili në të gjitha kohërat, edhe para luftës, edhe gjatë luftës, por edhe pas luftës e ka dëshmuar si njëri i unitetit, si njeri që ka dhënë shumë si familje, për Republikën, dhe shpresoj që të jetë kështu dhe përfundimisht të bëhet edhe president i vendit”, ka thënë Gashi.
Zgjedhjet lokale pritet të mbahen vitin e ardhshëm dhe Xhafer Gashi siç shkruan KP, pritet të kërkojë besimin e qytetarëve të Obiliqit edhe për një tjetër mandat për të qenë kryetar i tyre.
Ai ka pranuar se brenda strukturave të AAK-së ka një disponim që ai të garojë sërish por që pret konfirmimin zyrtar.
”Ne kemi pasur disa takime që janë organizuar me qendrën dhe faktikisht mua më është dhënë besimi që të vazhdojë edhe për një mandat, por besoj që është ende herët për ta konfirmuar se a do të jem apo jo”, ka thënë ai. /Insajderi.com