Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka treguar arsyet e dorëheqjes së parevokueshme të tij nga të gjitha funksionet dhe përgjegjësitë e tij brenda Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, ndërkohë që ishte kryetar i degës së saj në këtë komunë.
Derisa bëri të fitur se angazhimin e tij do ta vazhdojë vetëm si kryetar komune, Gashi tregon se janë duke punuar në krijimin e një Liste qytetare që do të jetë garuese për zgjedhjet në nivel komunal.
“Për rrugëtimin e mëtutjeshëm tonin, jemi konsultuar mirë me gjithë strukturat prej asamblistëve dhe strukturat tjera të organizuara që kemi qenë, dhe pothuajse pjesa më e madhe kemi kaluar të pavarur për momentin. Dhe jemi duke punuar në krijimin e një liste qytetare që do të ketë konkurruese në nivel lokal dhe do të bëjmë përkujdesje që në vazhdimësi që të punojmë për komunitetin në Obiliq”, thekson Gashi.
Ai po ashtu thekson se dorëheqja e tij vjen si rrjedhojë e zhvillimeve brenda strukturës së Aleancës në Obiliq.
Përveç kësaj ai thotë se dorëheqja vjen edhe si pasojë e mos realizimit të premtimeve të nivelit qendror për zbatimin e tërësishëm të Ligjit për Obiliqin e në veçanti në aspektin e çështjes së punësimit të qytetarëve të Obiliqit.
“Në fakt Obiliqi ka ndryshua dhe shumë punë të mira janë bërë duke falënderuar nivelin qendror në vazhdimësi gjatë shtatë vjet e gjysmë sa kam qenë unë. Mirëpo, arsyeja ka qenë çështja e punësimit në KEK. Ka qenë një nga premtimet që është dhënë në Hade dhe Shipitullë, ndërsa më pastaj ajo nuk është ndjekur deri në fund dhe kjo ka qenë si rezultat I pakënaqësive të një pjesë të madhe të strukturës, e cila pastaj ka reflektuar edhe më dorëheqje”, ka thënë ai për KP. /Insajderi.com