Xhaferi pritet t’i dërgojë letër Ivanovit për mandatin qeveritar

Xhaferi pritet t’i dërgojë letër Ivanovit për mandatin qeveritar

Kryetari i ri i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, pritet që t`i dërgojë letër zyrtare presidentit të Maqedonisë Gjorge Ivanov, me të cilën do të t’i kërkohet që t’i dorëzojë Zoran Zaevit mandatin për formimit e qeverisë së re.

Situata duket se është komplikuar pasi organet kuvendore akoma nuk janë vënë nën kontroll të kryetarittë parlamentit Xhaferi, po akoma janë në duart e kryesuesit të seancës konstituive, Trajko Veljanovski .

“Sot në Kuvend deputetët e shumicës parlamentare bashkë me Kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi janë duke kryer obligimet e tyre administrative të punës. Në mënyrë që Kuvendi të rivihet në funksion, z. Xhaferi, në atmosferë normale pune dha udhëzimet e nevojshme administrative“, ka shkruar në faqen e tij në facebook deputeti, Artan Grubi.

Gazetarët nuk kanë pasur qasje tek kabineti i kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë, ndërkohë që deputeti i VMRO DPMNE-së Antonio Milloshovski në rrjetin e tij social facebook, ka publikuar një fotografi ku duket se si po qëndrojnë deputetët e kësaj partie në kabinetin e Trajko Veljanovskit.

Ai ka shkruar se çdo deputet ka mandat dhe obligim që të respektojë rregulloren e punës së Parlamentit, ligjet dhe kushtetutën e Maqedonisë.

“Kundër dy deputetëve Ferit Muhiq dhe Goran Misovski, të cilët vepruan në kundërshtim me rregulloren e punës, nxitën dhunë politike, do të ngremë padi penale në organet përkatëse.

Maqedonisë tani nuk i duhet kryetar jo-legjitim i cili mund të shkaktojë dëme dhe pasoja të pariparueshme. Platforma e Tiranës nuk është më e rëndësishme se rregullorja e Kuvendit, ligjet dhe Kushtetuta ”, ka shkruar në rrjetin social deputeti i VMRO DPMNE-së Antonio Milloshovski

Nga ana tjetër VMRO DPMNE e cila drejtohet nga ish kryeministri Nikolla Gruevski edhe sot përmes një komunikate me shkrim ka theksuar se zgjedhja e Talat Xhaferit është bërë në kundërshtim me rregulloren e punës së Parlamentit të Republikës së Maqedonisë.

Njohësit e çështjeve juridike për Radion Evropa e Lirë thonë se kryesuesi i seancës konstitutive duhet t`ia dorëzojë zyrën kryeparlamentarit të ri, Talat Xhaferit, në të kundërtën do të pasojnë padi penale ndaj tij për pengim në kryerjen e detyrës zyrtare./Rel