Xhafer Tahiri- Qeverisë: Jeni vonuar në sigurimin e vaksinave

Xhafer Tahiri- Qeverisë: Jeni vonuar në sigurimin e vaksinave

Kryetari i Vushtrrisë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Xhafer Tahiri, ka kritikuar Qeverinë Kurti për sigurimin e vaksinave anti-COVID’19, duke thënë se janë vonuar dhe se duhet angazhuar më tepër në këtë drejtim.

Aktualisht, Kosova nuk ka të nënshkruar asnjë kontratë për blerje vaksinash me ndonjë kompani farmaceutike.

“Interesimi i qytetarëve është shumë i madh dhe kërkesa e tyre për vaksinim është shumë e madhe. Ne si komuna po bëjmë të pamundurën me stafin tonë që t’i kryejmë në kohë procesin e vaksinimit, ju keni parë në Vushtrri një rregull të jashtëzakonshëm gjatë procesit të vaksinimit por mungesa e vaksinave ka bërë që të kemi fluks më të madh të njerëzve dhe të moshuarve nga frika se do të mbesin pa u vaksinuar dhe kjo po i shkakton tollovi”, deklaroi Tahiri për EO.

“Ju lutemi siguroni sa më shumë vaksina, më shpejtë vaksinat, nënshkruani kontratat, asnjë prioritet më i madh në këtë vend, nuk është dhe çdo jetë e humbur ju them që është tepër, në qytetin tim kemi pasur 40% gati rritje të vdekshmërisë së njerëzve në krahasim me vitet e kaluara dhe duhet të bëjmë që sa më parë të sigurohen vaksinat”, tha tutje ai.

I pari i Vushtrrisë shtoi se njerëzit po shkojnë të vaksinohen me frikën se nuk do të ketë më vaksina, dhe sipas tij, ky është maltretim për qytetarët.

Kosova është shteti i fundit në rajon që ka filluar imunizimin kundër Coronavirusit./Insajderi.com