Xhaka është ylli i “Euro 2016” – Shaqiri pranon kritika

Xhaka është ylli i “Euro 2016” – Shaqiri pranon kritika

Trajneri i tij i ardhshëm Arsene Wenger, është thellësisht i impresionuar me 23-vjeçarin, derisa ish-trajneri i tij tek kombëtarja helvetike, Ottmar Hitzfeld, ka vetëm lavde për Xhakën. Graniti ka luajtur në Kampionatin Evropian nën mbikëqyrje ndërkombëtare, pas zyrtarizimit të transferimit të tij tek Arsenali.

Sipas magazinës sportive austriake, Gmax, numri 10 i kombëtares së Zvicrës ishte mesfushori defanziv më i miri i fazës së grupeve në “Euro 2016”.

“Ai ka një vetëbesim dhe lidership të madh. Është truri i skuadrës kombëtare zvicerane”, tha Hitzfeld para zhvillimit të ndeshjes së fazës tjetër të Zvicrës, ndaj Polonisë në Saint-Ettiene të shtunën.

Ndërsa, statistikat e futbollistit me origjinë nga Kosova vetëm se e konfirmojnë vlerën e madhe të Xhakës për skuadrën. Në 270 minuta lojë – në tre ndeshjet e para të evropianit – ai bëri 300 pasime, prej tyre kompletoi me sukses 90 për qind prej tyre. Numrat mahnitës të tij në pasime dhe ndalje të aksioneve në Bundesligë për katër vite me radhë, e bënë atë një “Mjeshtër të Pasimeve”.

Një forcë të madhe në karrierë atij i jep edhe familja e tij dhe jeta familjare ne përgjithësi. Derisa vëllai i tij Taulanti, i cili luan me kombëtaren shqiptare dhe në ndeshjen e parë në Lens ata ishin kundërshtar të njëri tjetrit, ai mban lidhje të forta me të.

“Për shkak se në i detyrohemi gjithçka familjes tonë, ne duam që t’i kthejmë atyre diçka të mirë. Babai dhe nëna vijnë nga një e kaluar e vështirë në Kosovë. Natyrisht, ne kemi llogari të ndara por 80 për qind të të ardhurave i dërgojmë në shtëpi”, i tregoi Xhaka gazetës gjermane Redaktionz Netzwerk Deutchland – RND, pak para fillimit të Kampionatit Evropian.

Në anën tjetër, futbollisti tjetër shqiptar Xherdan Shaqiri, ka pranuar shumë kritika gjatë këtij Kampionati Evropian, shkruan Insajderi.

Pas emërimit të tre kapitenëve të rinj në kombëtaren zvicerane, duke e lënë jashtë Xherdan Shaqirin – pasi kapitenët e parë u zgjodhën, Lichtsteiner, Behrami dhe Xhaka – rendimenti i mesfushorit të Stoke Cityt ka rënë dukshëm gjatë këtij kampionati.

Shaqiri është kritikuar nga mediet zvicerane që pas ndeshjes së parë të zhvilluar ndaj Shqipërisë, për mos angazhimin e tij të madh në përfshirjen e aksioneve.

I njohur si “Merssi i Alpeve”, Shaiqiri dikur konsiderohej si talenti më i madh zviceran ndonjëherë, por karriera e tij ka rënë në dy vitet e fundit pas transferimeve nga Bayerni në Itali tek Interi dhe së fundmi tek Stoke City. /Insajderi.com