Xhamia pa minare e shqiptarëve të Zvicrës hapet të shtunën

Xhamia pa minare e shqiptarëve të Zvicrës hapet të shtunën

Xhamia e ndërtuar në qytetin Wil të Zvicrës, me imam shqiptarin Bekim Alimi, do të hapet për herë të parë të shtunën e ardhshme. Xhamia, e cila mbledh kryesisht myslimanët shqiptarë dhe boshnjak të Wilit, nuk do të ketë minare.

Xhamia do të jetë pa minare, për shkak të një iniciative të popullatit zviceran, që xhamitë të mos kenë minare. Për shkak se janë ndaluar me ligj minaret, edhe kjo xhami është dashur të adaptojë këtë vendim.

Në muret e xhamisë shkruhet në gjuhën shqipe dhe atë angleze: “Mosque Wil – Xhamia Wil”, e cila fton muslimanët kryesisht shqiptarë që të hyjnë në të.

Qyteti i Wilit ka rreth 23,000 banorë, rreth 15% e të cilëve i përkasin besimit islam dhe janë të organizuar në një shoqatë të veçantë. Shumica vijnë nga Shqipëria dhe Bosnja, raporton sot gazeta zvicerane Blick.

Në nëntor të vitit 2011, shoqata paraqiti një leje ndërtimi për ndërtimin e një vendi takimi të myslimanëve. Kundër këtij projekti ka pasur rezistencë nga banorët lokalë.

Pas dy vjetësh ndërtimi, xhamia do të hapet të shtunën, njofton Insajderi.

“Unë mund t’i kuptoj paragjykimet, janë një masë parandaluese kundër diçkaje të panjohur”, thotë Bekim Alimi. Ai është imam i xhamisë dhe i vetmi punonjës i Bashkësisë Islame në Wil.

Financimi i xhamisë ishte kritikuar po ashtu. Paratë erdhën nga anëtarët e shoqatës dhe nga donacionet. /Insajderi.com