Xhavit Ukaj paralajmëron padi për shpifje ndaj këshilltarit të Vjosa Osmanit

Xhavit Ukaj paralajmëron padi për shpifje ndaj këshilltarit të Vjosa Osmanit

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhavit Ukaj, ka paralajmëruar padi për shpifje ndaj Faton Pecit, i cili është këshilltar i kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmanit.

Peci në emisionin Info Magazine në Klan Kosova ka deklaruar se Osmani është kërcënuar dhe fyer në mënyrën më të keqe nga Ukaj, gjatë një seance në Kuvend.

“Janë shumë fjalë që nuk janë dëgjuar. Po tentoj që me pak fjalë të shpjegoj. E para Ganimete Musliu e ka kërkuar fjalën jashtë rendit të ditës, por e ka bërë në konsultim me Osmanin”, ka thënë ai.

“Osmani ia ka lejuar fjalën asaj që të diskutojë në mënyrë që të qartësohet, ndërsa ajo ka abuzuar me këtë lëshim që e ka bërë Osmani për një interes dhe ka filluar me gjuhë jo parlamentare. Si rrjedhojë e kësaj, deputeti në fjalë [Ukaj] është ngritur në këmbë, ka përdorur gjuhë banale. Osmani ja ka tërhequr vërejtjen. Ka qenë një veprim barbar. Nuk mund ta sqaroj për opinionin sepse janë shumë fjalë të rënda – e ka parë e gjithë Kosova, por nuk i kanë dëgjuar fjalët”, ka shtuar Peci.

“Është gjuhë shumë e ultë dhe unë nuk dëshiroj të dëgjohen ato tek familjet e kosovare. Njohësit e çështjeve juridike po i vlerësojnë këtë gjuhë të Ukajt si kërcënim dhe vepër penale”, ka përfunduar ai.

Me këtë rast Ukaj tha për Klan Kosova se në asnjë mënyrë nuk e kam përmend atë fjalë.

“Unë do të bëjë padi për shpifje ndaj këshilltarit Peci pasi që ai atë çka ka thënë ka gënjyer. I keni incizimet. Në asnjë mënyrë se kam përmend atë fjali që po e thotë Peci”. /Insajderi.com/